Shantazhi ndaj zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi thirret në Prokurori

25.11.2019 15:31:45

Të enjten që lamë pas ka qenë vetë Presidenti Meta ai që përmes një postimi në Facebook bënte me dije shantazhimin e zëdhënësit të tij nga një ambasador, por pa i bërë publik emrin, duke i kërkuar edh e Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimin.

Ndërkohë këtë të hënë, vetë Tedi Blushi është thirrur nga Prokuroria duke dhënë edhe sqarimet e nevojshme për telefonatat.

“I sqarova telefonatën. Më 21 nëntor kam pasur një telefonatë, për të cilën nuk mund të flas tani. Telefonuesit kanë qenë dy, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhë të huaj. Më është kërkuar të ndryshoj qëndrimin tim publik. Për të gjitha këto ia kam sqaruar organit të akuzës. Pres dhe kam besim te drejtësia”, deklaroi ndër të tjera Blushi pasi doli nga ambientet e Prokurorisë.

Pavarësisht zërave, ende nuk është konfirmuar se cili ambasadorë, apo zyrtar ambasade ka kontaktuar zëdhënësin e Presidentit Meta, Tedi Blushin për të hequr nga “Facebook” një postim që ai kishte bërë.