SHBA, shefi i kompanisë Exxon, favorit për sekretar shteti

10.12.2016 19:04:26
Rex W. Tillerson, chairman and CEO of ExxonMobil, listens to a question during a news conference after the shareholders meeting in Dallas, Wednesday, May 30, 2007. (AP Photo/LM Otero)

Shefi ekzekutiv i kompanisë Exxon Mobil, Rex Tillerson, kompania e të cilit ka interesa të gjëra për shpime në Rusi, është paraqitur si kandidat udhëheqës për t’u bërë sekretar i ardhshëm amerikan i shtetit, kanë raportuar mbrëmë mediat në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia Reuters dhe e përditshmja Wall Street Journal, kanë cituar ndihmës të lartë të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, që kanë thënë se tash favorizohet Tillerson pasi do të ishte “një kthesë” meqë për të parën herë, do ta sillte përvojën e një ekzekutivi të një korporate në postin më të lartë diplomatik.

Rex Tillerson është bërë i njohur nëpërmjet biznesit të Exxonit me Rusinë në fushën e energjisë, ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nderuar atë me medaljen e Urdhrit të Miqësisë në vitin 2013, për atë që Kremlini e ka cilësuar si “kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit në karburant dhe sektorin e energjisë”.

Ndërsa janë paraqitur raportet për nominimin e mundshëm të zotit Tillerson, kandidati tjetër për këtë post, Rudolph Giuliani, ka deklaruar se tërhiqet nga kjo kandidaturë.

Donald Trump është takuar me Rex Tillersonin më 6 dhjetor dhe ndoshta gjatë fundjavës do të bisedojë përsëri me të, kanë thënë ndihmësit e afërt të Trump.

Por, sipas tyre, ndërsa Tillerson është tashmë favorit për postin e sekretarit amerikan të shtetit, edhe kandidatët e tjerë mbesin aktualë, përfshirë të nominuarin republikan për president në vitin 2012, Mitt Romney, ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton, senatori Bob Corker, dhe gjenerali i pensionuar, James Stavridis.