SHBA, thirrje familjarëve të konsullatës amerikane: Largohuni nga Stambolli

30.10.2016 12:52:07

Departamenti amerikan i Shtetit i ka urdhëruar anëtarët e familjeve të punonjësve të konsullatës në Stamboll, që të largohen nga Turqia.

Ky vendim është “i bazuar në informacionet e sigurisë që indikojnë se grupet ekstremiste po vazhdojnë përpjekjet agresive për të sulmuar shtetasit amerikanë në hapësirat në Stamboll ku ata banojnë ose veprojnë”, thuhet në njoftimin e mbrëmshëm të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ky urdhër ka të bëjë vetëm me Konsullatën e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara në Stamboll, e cila mbetet e hapur dhe me personel të plotë, e jo për ndonjë përfaqësi tjetër diplomatike amerikane në Turqi.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i shtetit i këshilloi shtetasit që “ta shqyrtojnë me kujdes nevojën për udhëtim në Turqi”.

Ndjenjat anti-amerikane janë të larta në Turqi, që është aleat në NATO, ku ende janë në fuqi ligje për gjendje të jashtëzakonshme prej dështimit të përpjekjes për puç, në muajin korrik.

Turqia, po ashtu, lufton kundër kryengritjes së ripërtërirë të separatistëve kurdë dhe është e prekur nga ndikimi i luftës në Sirinë fqinje, përfshirë edhe sulmet nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.