Shefi i kabinetit të Veliut: As VV-ja, e as ish-bija jonë nuk e dinë çka po thonë

12.09.2020 19:56:28

Ndaj Vetëvendosjes dhe kritikave të saja për Hotin, ka reaguar edhe Bajram Gecaj, që është shef i kabinetit tek ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Në reagimin e tij, Gecaj e ka futur edhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanit, duke cituar fjalët e emisarit special të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell, shkruan lajmi.net.

Gecaj ka kujtuar se Asociacioni në Kuvendin e Kosovës ishte votuar nga 2/3 e deputetëve dhe se të njëjtat vota do t’i duhen edhe VV-së për zhbërjen e tij.

Sipas tij, deri sa VV të arrijë këtë konsensus, ata vetëm mund të ankohen.

“Përgjigja e shkurtë në pyetjen tuaj se “A po dinë çfarë po thonë?!”, është një JO e madhe … ndërsa, ish-bija jonë nuk u lëshon udhë këtyre aspak!”, ka shkruar ai duke iu referuar Vjosa Osmanit.

Postimi i plotë i Gecajt në Facebook:

I nderuar Kryetar Isa Mustafa, fatkeqësisht për skenën tonë politike por edhe për vendin, LVV mbetet një subjekt politik (apo jo) që akoma nuk e di ku e ka kokën e ku këmbët. Para disa ditësh, Richard Grenell me plotë të drejtë kishte deklaruar: “Na duhen politikanë që bëjnë më shumë se sa vetëm të ankohen”. E ankesa duket të jetë palca kurrizore dhe strumbullari i të gjitha veprimeve të LVV-së, pasi që tanimë kanë provuar se nuk dinë e as që e kanë guximin të qeverisin. Ankesa racionale dhe e bazuar është vërtetë ushqim për demokraci, por kur ajo shndërrohet në qëllim për vetëvete atëherë dëmton dhe rrezikon seriozisht vet frymën e mu asaj demokracie. Asociacioni ishte aprovuar nga mbi 2/3 e deputetëve dhe, ashtu siç konkludoni edhe ju, kishte marrë vulen edhe të vet Gjykatës Kushtetuese. LVV-së, të cilët nuk e kuptojne dhe as që e pranojnë konceptin e bashkëpunimit, u duhet të sigurojnë një shumicë prej 2/3 për ta zhbërë vendimin mbi asociacionin … e deri atëherë, e tëra që ata mund ta bëjnë qëndron strikt në domenin e ankesës joracionale, popullizmit dhe destruktiviterit sistemik, domen ky në të cilin duket të kenë avancuar mbi të tjerët!

Përgjigja e shkurtë në pyetjen tuaj se “A po dinë çfarë po thonë?!”, është një JO e madhe … ndërsa, ish-bija jonë nuk u lëshon udhë këtyre aspak!.