Shembja e Teatrit, Tabaku: Njerëz të pashpirt që të vrasin natën e qajnë ditën

23.05.2020 14:34:52

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me shembjen e gjimnazit Sami Frashëri dhe Teatrit Kombëtar.

Përmes një postimi të gjatë në “Facebook”, Tabaku flet me tone të ashpra për kryebashkiakun e kryeqytetit, Erion Veliaj, duke e cilësuar si kriminelin e Tiranës.

Sipas ish-deputetës së PD-së, Veliaj shembi pa asnjë plan dhe projekt shkollën Sami Frashëri dhe po me të njëjtën rrugë veproi edhe me Teatrin.

“Njerëz të tillë të pashpirtë që të vrasin natën dhe të qajnë ditën janë ato që e kanë shkatërruar Tiranën dhe identitetin e saj. Gënjeshtarët e pacipë që pretojnë 0 leje ndërtimi dhe më pas duan të zhdukin çdo gjurmë qyteti për ta mbushur me kulla, që kthehen në lavatriçe të prave të pista ndërsa zhubrosin dhe hedhin tutje historinë e qytetit”, shprehet Tabaku.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut:

Një muaj më parë krimineli i Tiranës shembi pa asnjë plan dhe pa asnjë projekt gjimnazin Sami Frashëri megjithëse pretendonte se kishte shpenzuar miliona euro nga taksat e qytetarëve për ta rikonstruktuar. Po njësoj veproi dhe gjashtë ditë më parë kur ndoqi një rrugë tërësisht anti-ligjore për të shembur një tjetër godinë historike, godinën e Teatrit Kombëtar.

Pa asnjë projekt ndërtimi, pa asnjë plan, pa asnjë fond por me premtimin që do të marrë kredi 30 milionë euro në kohë pandemie ai hyri si hajni herët në mëngjes për t’ia vjedhur qytettt. Njerëz të tillë të pashpirtë që të vrasin natën dhe të qajnë ditën janë ato që e kanë shkatërruar Tiranën dhe identitetin e saj. Gënjeshtarët e pacipë që pretojnë 0 leje ndërtimi dhe më pas duan të zhdukin çdo gjurmë qyteti për ta mbushur me kulla, që kthehen në lavatriçe të prave të pista ndërsa zhubrosin dhe hedhin tutje historinë e qytetit.

 

Këto janë ata qeveritarë që konvertuan një laborator shkencor në Art-Turbinë dhe shkatërruan godinën e Teatrit Kombëtar ndonëse ajo qe ideuar për të promovuar kulturën. Por nëse kërkoni turp në gjithë këto veprime barbare mos u përpiqni të gjeni, pasi fatkeqësisht njeriu që shembi dhe të shkuarën e tij (se me gjasë nuk do të ketë të tillë) po vret dhe të ardhmen e qytetit.

Tirana këtë vit mbush 100 vite si kryeqytet, fatkeqësisht sot ka gjithnjë e më pak godina historike. Kanë punuar intensivisht të shkatërrojnë çdo copëz historie nën histerinë e vazhdueshme të pasurimit dhe pushtetit absolut. Tirana po kthehet përditë e më shumë në një qytet të trishtuar që lëngon nga masakra e një kryeministri që e ka dhunuar 3 mandate rresht dhe një mashtruesi që është i gatshëm të shkelë gjithçka vetëm për të fituar më shumë pushtet.