Shën Tereza, lutu për ne, për shpirtin tonë, për paqen dhe dashurinë!

04.09.2016 13:45:03

Shën Tereza, shenjtëresha që sa jetoi në këtë botë ishte nëna e njerëzimit, nëna e të sëmurit, e varfanjakut, e të braktisurit, e atij që kish nevojë për dorën e ngrohtë të njeriut, nga sot do të jet bashkë me gjithë shenjtorët tjerë , në mesin e tyre edhe shumë shqiptarë. Shqiptarët do të jenë krenarë për jetë e mot për bijën që lindën dhe rritën me traditën më të mirë kombëtare dhe fatre, dhe që të e bënë gati t’i përgjigjet thirrjes hyjnore për t’iu përkushtuar misionit të saj, mision që ishte si misioni i Jezusit, i cili erdhi në këtë botë për të ndihmuar të sëmurët, të varfrit, të brtaktisurit dhe për të përcjellë mesazhin se Zoti është me njeriun, se dora e Zotit i është shtrirë njeriut si Besëlidhje. Me frymëzimin hyjnor, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, do të shndërrohet e tëra në dorë të Perëndisë për njerëzit në nevojë, do bëhet Tereza, nëna e të gjithëve, shembulli dhe personifikimi i mëshirës dhe e ndihmës, misionarja që do i përkushtohet Zotit dhe njeriut. Tashmë njerëzimi në përgjithësi, dhe shqiptarët në veçanti do ta kenë një shenjtëreshë më shumë që do të lutet për ta, që do të kujdeset për ta dhe qo do të përçojë mesazhin: sa më shumë dashuri që do japësh, aq më afër Zotit do të jesh. Dhe të gjithë kemi nevojë për të dhënë dashuri, se të gjithë kemi nevojë për dashurinë e të tjerëve. Shën Tereza dha shumë dashuri, dhe mori shumë dashuri. Shën Tereza dha shumë humanizëm dhe tregoi se bota ka nevojë për më shumë humanizëm, dhe se me humanizëm kjo botë mund të bëhet edhe më e mirë, edhe më paqësore, edhe më e përsosur. Shenjtërimi i Nënë terezës, tash e tutje Shën Tereza, bashkë me këtë akt madhështor, duhet t’ua kujtojë të gjithëve mundin e saj, sakrficën e saj dhe gjithë atë që bëri për ta bërë botën sa më të drejtë, sa më paqësore, sa më të mirë dhe sa më humane. Shqiptarët, më shumë se të tjerët kanë arsye jo vetëm të jenë krenarë për Shën Terezën, por edhe të jenë më të përgjegjshëm për sjelljen e tyre, për veprimet e tyre, për atë që bëjnë, sepse shenjtërimi i saj, misioni i saj dhe përkushtimi i saj duhet të jenë jo vetëm arsye krenarie, por edhe pika detyrimi për të qenë sa më të mirë, sa më paqësorë dhe sa më të kujdeshëm. Që nga Shën Jeronimi e deri te Shën Tereza, historia e shqiptarëve është e mbushur plotë me histori reale, me histori të vërteta të shpirtit të devotshëm, të kontributit për paqen njerëzore, për humanizmin, për shenjtërinë dhe për hyjnoren. Prandaj, shqiptarët sot janë populli më me fat, janë populli që me shenjtërinimin e Nënës Tereze, tash e tutje Shën Tereza, ia kanë dhënë vulës shekullit XXI, shekullit të ri, shekullit që po përballet dhe do të përballet me sfida të shumta për paqen, për mirësinë, për përkushtimin ndaj Zotit dhe ndaj njeriut, dhe kur njeriu ka dhe do të ketë më shumë nevojë për shpirtin, për emocionin, për dorën e Zotit. Lutjet e Shën Terezës për popullin e saj dhe për njerëzimin për paqe dhe për humanizëm, për më shumë dashuri, janë lutjet që duhet t’i bëjë gjithësecili dhe të meritojë shpërblimin e Zotit!