Shënon rritje numri i turistëve në Shqipëri

20.04.2017 13:58:17

Numri i vizitorëve të huaj, të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi deri në muajin mars 2017, ka arritur në mbi 66 mijë, 41 mijë më shumë se një vit më parë.

Ndërkaq, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale është 238 mijë. 2,2 për qind prej tyre kanë hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi, duke shënuar një rritje prej 12,7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat vijnë përmes Institutit të Statistikave, sipas të cilit, 80,7 për qind kanë hyrë në rrugë tokësore ndërsa hyrjet në rrugë ajrore dhe detare zënë respektivisht 15,0 për qind dhe 4,3 për qind.

Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin Mars rezulton nga Kosova me 33,4 për qind, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 16,5 për qind, Greqia me 13,7 për qind, Mali i Zi me 13,1 për qind.

Në total, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin Mars 2017 është 584 mijë. Krahasuar me Mars 2016, ky tregues rezulton me rritje 5,3 për qind.