Sherifi: Opozita mbetet unike, demarkacioni s’kalon pa u korrigjuar

08.09.2016 23:35:20

Sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi duhet të korrigjohet e jo të dërgohet sërish për ratifikim në Kuvend.

Megjithatë, ai ka theksuar se, edhe nëse demarkacioni riprocedohet, Qeveria do të detyrohet ta tërheqë ose Kuvendi do ta rrëzojë.

Sherifi ka thënë për “Epokën e re” se opozita vazhdon të jetë unike për demarkacionin, kurse sa i përket koordinimit, sipas tij, mbetet të shihet në ditët e ardhshme.

Sherifi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se nëse ky proces dështon, përgjegjësia i takon Qeverisë.

Ai ka theksuar se qeveritarët, në vend se t’i luftojnë krimin dhe korrupsionin që, sipas tij, janë kushtet kryesore për heqjen e vizave, ata po fshihen prapa demarkacionit.