Sherifi: Rrahman Jasharaj ofetën e sotme e kishte në tavolinë qysh në javën e parë të grevës

01.02.2019 17:39:25

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se ofertën e sotme të qeverisë, SBASHK-u e ka pasur në tavolinë qysh në javën e parë të grevës.

Sipas tij, kjo ofertë i kishte ardhur nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

“Në funksion të informimit të drejtë të publikut, më duhet të sqaroj se këtë ofertë të cilën sot e pranoi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari dhe e shpalli si fitore të grevës, e ka pasur ne tavolinë qysh gjatë javës së parë të grevës. Një ofertë e tillë atij i është bërë nga ministri i arsimit Shyqyri Bytyqi, ofertë e cila ka qenë e koordinuar me zv. Kryeministrin Fatmir Limaj dhe me deputetët e Nismës, me qellim që, nëse SBASHK-u e pranon, e njejta së pari t’i prezantohet Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe më pas përmes tij të dërgohet në Qeveri”, ka shkruar Sherifi, transmeton Telegrafi.

Sherifi tutje ka thënë se ofertën e njëjtë, Sindikata e Arsimit e kishte refuzuar.

Shefi i deputetëe të Nismës, thotë se greva në arsim ka qenë për arsye të agjendave politike.

“Sot, ai, ofertën të cilën e konsideronte të pa pranueshme dhe ofenduese e shpalli fitore. Shumë mirë. Edhe unë ia uroj fitoren! Përmes këtij veprimi të sotëm, ai dëshmoi se në grevë ka hyre në funksion të agjendave partiake, dhe jo me qëllim të arritjes të një pozicioni më të mirë për mësimdhënësit në ligjin për paga aq shumë të debatuar dhe të kontestuar në publik!”, ka shkruar tutje Sherifi.

Ai ka kërkuar një sqarim nga Rrahman Jasharaj, që sipas tij, të tregojë me urdhër të kujt e ka nisur grevën.

“Pra, meqë marrëveshja është e njëjta që i është ofruar atij që në fillim të grevës, Kryetari i SBASHK-ut e ka për detyrë t’ua sqarojë qytetarëve të Kosovës, se me urdhër të kujt e filloi grevën dhe me urdhër kujt e ndërpreu atë! Kryetari i SBASHK-ut duhet ta merrë përgjegjësinë për javët e humbura në mësim dhe të jep llogari para nxënësve, mësimdhënësve qytetarëve dhe para atyre që e kanë zgjedhur’ Nëse ai nuk është i gatshëm ta merr përgjegjësinë për veprimet e tij, ata që e kanë zgjedhur duhet ta shkarkojnë për dëmet që ua ka shkaktuar nxënësve në funksion të dobisë personale dhe të agjendave partiake!”, përfundon postimi i Bilall Sherifit në facebook.

Ndryshe, SBASHK-u ka vendosur që pas marrëveshjes me qeverinë të pezullohet greva