Shkatërrohet banda e grabitjes së supermakinave, shqiptari ‘hacker’ çaktivizonte alarmin e sigurisë

25.11.2016 18:27:30

Një bandë e vjedhjes së makinave luksoze në Athinë është shkatërruar nga policia greke pas një aksioni të koordinuar, që rezultoi me arrestimin e 9 personave në total.

Nga këta, dy janë shqiptarë 19 dhe 22 vjeç, 6 grekë dhe një shtetas rumun. Sipas policisë greke, një rol kyç në këtë veprimtari kriminale luante një tjetër shqiptar 24-vjeçar, i cili është i dënuar për vjedhje.

Ai është vëllai i 22-vjeçarit të arrestuar, të cilin e mësonte se si të vidhte makinat luksoze. Policia thotë se ai dispononte një program kompjuterik që i mundësonte të çaktivizonte sistemin e alarmit të automjeteve.

Gjithsej janë sekuestruar 15 makina të vjedhura, pjesë këmbimi, sende dhe mjete që përdornin të arrestuarit për vjedhjen e makinave. Deri më tani janë zbuluar 17 raste vjedhje nga kjo bandë.