Shkëlqimi dhe rënia e shokut Eqrem Kryeziu – “Profesori”

08.02.2017 14:16:50

Nga Rexhep Kastrati

Eqrem Kryeziu është një nga personalitetet politike që ka përcjellë proceset politike në Kosovë nga pozita relativisht të larta partiake, nënkryetar i parë i LDK-së dhe është një personalitet politik që ka treguar karizëm dhe një shkathtësi oratorike. Gjatë viteve, sikurse shumë personalitete të tjera të LDK-së është ballafaquar me sfida dhe me fushata primitive shpifjesh dhe përbaltjesh. Mirëpo, të gjitha këto i ka përballuar me një frymëzim dhe qasje intelektuale me ndikim nga filozofia e Linjdes së largët, sidomos atë konfuciane dhe laoceoste. E kishte merak haikun dhe shpesh citonte të tilla.

Si një ndër personalitetet kryesore të LDK-së, Eqrem kryeziu ka pjesën e tij të meritave, por edhe të përgjegjësisë për proceset brenda LDK-së dhe jashtë saj. Sfida më e madhe ka qenë ajo që lidhet me kohën e pasluftës, dhe në Kuvendin e VI, në të cilët i kishte rënë hise të ishte në pozitë përcaktuese të rrjedhave në parti dhe në Kosovë.

Edhe pse nuk dua të lëshohem në debatet e hershme se a ishte pro apo kundër-rugovist, që bazoheshin edhe në deklarimin e hershëm publik kur diskutohej pozita e presidentit Rugova si president i Kosovës dhe si kryetar i LDK-së, se ishte i gatshëm të bëhej kryetar i LDK-së, e që nuk ishte pritur mirë nga anëtarësia e LDK-së dhe opinioni publik, megjithatë duhet thënë se pas vdekjes së presidentit Rugova, Eqrem Kryeziu kishte shfaqur hapur tendenca për një rol misionar të tij në LDK. Në fakt, kjo vërehej sidomos në fushata zgjedhore kur e deklaronte hapur veten në krye të një misioni, i cili ishte e lehtë të identifikohej si një përpjekje për të përmbyllur epokën e presidentit Rugova dhe për të filluar një epokë të tij.

Në planin e brendshëm, Eqrem Kryeziu pas vdekjes së presidentit Rugova kishte rol shumë të madh në vazhdimësinë e LDK-së dhe mund të thuhet se ardhja e Fatmir Sejdiut në krye të kësaj partie ishte bërë edhe me angazhimin e drejtpërdrejt të tij. Dhe kjo u përcoll me një furtunë të brendshme të frymëzuar nga Nexhat Daci që betejën e kishte shndërruar në betejë personale me Eqrem Kryeziun. Dhe kjo betejë do të vazhdojë deri në fund, dhe kjo është një nga arsyet e dështimit të LDK-së në Prizren – Nexhat Daci e mbështeti koalicionin e LDD-së me AAK-në në Prizren, e pastaj edhe koalicionin që Lulzim Kabashi, tash nënkryetar komunës së Prizrenit, kishte bërë me Hashim Thaçin për një koalicion të përbashkët kundër LDK-së.

Në fakt, ata që mund të quhen përkrahës të Dacit dhe të Sejdiut brenda LDK-së, kishin filluar herët hakmarrjen kundër Eqrem Kryeziut, e që ishte e frymëzuar edhe nga ata që më vonë do të identifikohen si mbështetës të Vjosa Osmanit. Gjithë këta do të bëjnë gjithçka për eliminimin politik të Eqrem Kryeziut edhe si hakmarrje politike ndaj tij, edhe si mënyrë për t’i hapur rrugën pushtimit të LDK-së që do ta provojnë ta realizojnë në Kuvendin e VIII.

Dhe këtu zë fill hallakama e Eqrem Kryeziut, sepse ai nuk diti të gjendej përballë situatës së krijuar, përkatësisht bëri gabime shumë të rënda që do të kenë pasoja shumë të rënda për të. Duke mos e përjetuar lehtë proçkën që iu bë në zgjedhjet lokale, Eqrem Kryeziu nuk qe në gjendje të bënte atë që duhej për të përballuar situatën. Tashmë i kishte rënë të shihte fundin nga ata që i kish rritur dhe ushqyer vetë, por që gjithmonë ia kishin luajtur lojën mbrapa shpine. Involvimi i Haxhi Avdylit në këtë lojë ishte një argument për të kuptuar se ata që synonin pushtimin e LDK-së do të bënin gjithçka kundër tij.

Mirëpo, deri atëherë, Eqrem Kryeziu jo vetëm që nuk kishte ndonjë mendim negativ për kryeministrin Mustafa, por përkundrazi gjithë shpresat i kishte varur te ai. Bile me krenari thoshte se ai, pra Eqrem Kryeziu është mbështetësi kryesor i Isa Mustafës. Edhe në çështjen e koalicioneve qeverisëse, Eqrem Kryeziu ishte deklaruar herët për një koalicion me PDK-në.

Humbja në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, Eqrem Kryeziun përfundimisht e kishte nxjerrë jashtë vetes dhe e kishte bërë që të pësonte një dëshpërim dhe humbje të arsyes. Papritmas, nga një mbështetës kryesor i Isa Mustafës, u kthye në kundërshtarin e tij kryesor. Ironia, cinizmi dhe retorika që përdorte kundër tij, e devalvuan keqas Eqrem Kryeziun. Në fakt, edhe Eqrem Kryeziu shpërfaqte hapur atë mendësinë eskatologjike sipas të cilës, pas meje le të bëhet kijameti, e që e kishin shpërfaqur më parë Nexhat Daci dhe Fatmir Sejdiu.

Gjatë kësaj periudhe e në vazhdim, Eqrem Kryeziu angazhimin kundër kryeministrit Mustafa e kishte bërë angazhimin e tij jetësor dhe qëllimin e tij parësor. Eqrem Kryeziu ishte bërë me gjithë ata që kishin punuar me vite kundër tij, dhe ishte bërë edhe me ata që në nivelin lokal kishin bërë gjithçka për ta dëmtuar në zgjedhjet lokale, dhe ishte bërë de facto me Vjosa Osmanin vetëm për të dëmtuar kryeministrin Mustafa dhe LDK-në. Terminologjia që përdorte, retorika e tij dhe mllefi që nuk e fshihte dot, ishin larg një personaliteti me karizëm dhe me rol të rëndësishëm në proceset e brendshme të LDK-së dhe të vendit.

Angazhimet kundër kryeministrit Mustafa dhe përfshirja e tij në fushatat primitive kundër kryeministrit Mustafa dhe kundër LDK-së, që i udhëhiqnin veglat kondomë brenda e rreth LDK-së dhe të sponzorizuara e të mbështetura medietikisht nga korpusi medietik i kontrolluar nga strukturat mafiozo-politike, e devalvuan deri në fund Eqrem Kryeziun, sepse ai ishte i gatshëm të bënte gjithçka, madje edhe ta dobësonte, ta përçante dhe ta rrënonte LDK-në vetëm pse nuk dinte si ta menaxhonte mbylljen e kapitullit të tij politik, e të cilin e mbylli në mënyrën më të turpshme: vetëm nëpërmjet një postimi në facebook.

Siç dihet, Eqrem Kryeziu kishte postuar një deklaratë të shkurtër në të cilën kishte deklaruar dorëheqjen dhe tërheqjen nga të gjitha funksionet në LDK, prandaj edhe deklarimi i tij i fundit se nuk do ta votonte LDK-në, është vetëm përmbyllje e ciklit të formësimit të profilizimit të tij kundër LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, dhe shpërfaqje e hapur e një aleance destruktive dhe dëmtuese të LDK-së me gjithë ata që gjatë viteve ishin angazhuar edhe kundër tij dhe kundër LDK-së, qoftë në Kuvendin e VI, qoftë më pastaj, por edhe në zgjedhjet e fundit lokale dhe kuvendore.

Tashmë Eqrem Kryeziu, ciklin e tij politik, e pse jo edhe biologjik, sikurse Nexhat Daci, Fatmir Sejdiu e të tjerë si këta, do ta mbyllë me angazhime me të gjithë kundër LDK-së.

Prandaj, krejt në fund veç mund t’i thuhet: përhajër aleanca e horrave dhe me horra! Kurse për LDK-në, kujdeset anëtarësia dhe mbështetësit e saj.

Anëtarësia dhe mbështetësit e LDK-së janë mësuar me vetëdijën institucionale, sipas të cilës respektohen strukturat legale të partisë të zgjedhura në bazë të Statutit të saj. Dhe së këndejmi do të dijë të përballojë sfidat kompromestuese, dëmtuese dhe përçarëse të linjës sëTiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste të shpërfaqura herët, të formësuara në Kuvendin e VI, të mbetura në tentativë në Kuvendin e VIII, dhe që nga fillimi i mandatit të Qeverisë aktuale në krye me kryeministrin Mustafa, e të cilëve, me kohë u janë bashkuar edhe Nexhat Daci, Fatmir Sejdiu dhe vetë Eqrem Kryeziu.