Tahiri: Asociacioni formohet kur të shuhen të gjitha strukturat serbe në Kosovë

08.02.2017 14:24:48

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ku tha se Kosova ka hapur rrugën rajonale për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë.

“Serbia ka bërë luftë dhe gjenocid kundër qytetarëve të Kosovës dhe, përkundër kësaj, Kosova ka hyrë në një dialog paqësor”, ka thënë ajo, transmeton Telegrafi.

Sipas saj, kontributi i Kosovës për paqe në rajon ka bërë “të kemi partneritet me NATO-n”.

“Ndaj, synojmë avancimin në NATO e në OKB”, ka shtuar ajo, duke paralajmëruar njohjen e shpejtë nga Sudani. “Diplomacia parlamentare po punon mirë dhe ne do të sigurojmë njohjet e nevojshme për Kosovën”.

Tahiri thotë se sukses i Kosovës, në dialog, është kodi telefonik, që për të paraqet pavarësi të Kosovës në fushën e telekomit botëror. Ndërkaq shton se Rusia, krahas Serbisë, është faktor destabilizues në rajon.

“Serbia po synon të luaj lojën dhe agjendën politike të Rusisë. Por, pres forcimin e bllokut euroatlantik në këto anë”, ka shtuar ajo. “Mbetemi të përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun që duhet të hyjë në fazën përfundimtare. Në këtë fazë temë do të jetë njohja reciproke mes dy shteteve dhe shënjimi i vijës kufitare me Serbinë”.

Kur është fjala te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ajo tha se formimi i tij do të ndodhë kur shuhen të gjitha strukturat paralele në Kosovë.