Shkëlzen Maliqi konfirmon se linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, kanë bashkëvepruar dhe po bashkëveprojnë me Beogradin

10.09.2017 09:30:23
Nga Rexhep Kastrati
Shkëlzen Maliqi paska thënë se LDK dhe VV duhet të bashkëpunojnë me listën “Srpska” për ta rrëzuar Qeverinë. Me këtë ky po tregon se VV, PDK, AAK, Nisma paskan bashkëpunuar me listën “Srpska”, pra me Beogradin për të rrëzuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Mustafa! Me këtë po konfirmohet se rrëzimi i Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa ka qenë projekt i Beogradit, i urdhëruar nga Vulin në dhjetor 2016 dhe i zbatuar nga VV, PDK, AA, Nisma, lista “Srpska” dhe pakicat tjera. Dhe projekti po del se ka qenë që të rrëzohet një Qeveri që veç kuvendarë shqiptarë ka pas mbi 62 kuvendarë, dhe të bëhet një qeveri me 62 kuvendarë gjithsejt, 20 nga të cilët janë serbë dhe pakica të tjera, dhe që është e varur tërësisht nga ata.
Në anën tjetër, pse Shkëlzen Maliqin dhe sojin e tij nuk e shqetëson fakti se votën e saj, list “Srpska” e ka  kushtëzuar nga një listë e gjatë kushtesh të rënda, por përrallis mënyra bashkëpunimi të VV-së dhe LDK-së me të për rrëzimin e qeverisë? Logjika e bashkëpunimit me listën “Srpska” për rrëzimin e Qeverisë, është logjikë e bashkëpunimit me Beogradin, pra është logjikë e krijimit të një axhende të përbashkët me Beogradin, e që më tej është logjikë e robit që nuk lirohet dot nga hija e Serbisë. Pastaj, nëse e shtrijmë logjikën e zbërthimit të këtillë, atëherë konfirmohet edhe një herë se linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, kanë bashkëvepruar dhe po bashkëveprojnë me Beogradin kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova, e në rastin e fundit kundër LDK-së. Dhe si rezultat të këtij bashkëpunimi, mund të kenë ndodhë vrasjet politike, lufta speciale kundër presidentit Rugova dhe kundër LDK-së, si dhe gjithë të zezat tjera, pra edhe angazhimet e dhunshme, anarkiste dhe përgjithësisht destabilizuese në Kosovë, e që rezultoi me rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa. Takimi i Hashim Thaçit me Boris Tadiqin në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe bashkërendimi i nismës për FSK-në me Vuçiqin, janë vetëm dy nga shumë raste të bashkërendimit me Beogradin.
Shkëlzen Maliqi e di se edhe për arsyet e mësipërme, LDK nuk mund të bashkërendojë axhenda me Beogradin, prandaj as me listën “Srpska”. Vitet 2010 – 2014 kanë dëshmuar se serbët dhe pakicat tjera ndjhen mirë në një Qeveri me pakicë shqiptare, dhe se nuk bëjnë përpjekje për të rrëzuar Qeveri të tillë. Për hir të destabilizimit të Kosovës dhe për ta shantazhuar Qeverinë e drejtuar nga Haradinaj, Beogradi do të luajë me kartën e VV-së, e cila si zakonisht do të luajë me kartën e nacionalizmit. Në këtë mënyrë, Beogradi edhe do të mbajë ndezur fitilin e destabilizimit të Kosovës, edhe do ta shantazhojë Haradinajn nëse ky eventualisht do të përpiqet të shmanget nga axhenda e përbashkët me të. Në asnjërin variant LDK nuk do të duhej të përfshihej, sepse secili variant është dhe duhet të jetë i huaj për të. LDK as nuk duhet të bëhet pjesë e axhendave të Serbisë që bashkë me listën “Srpska” të rrëzojnë Qeverinë, as pjesë e axhendave të Serbisë që nëpërmjet VV-së, të destabilizojë vendin dhe të bëhet shantazh mbi Ramushin nëse ky do të përpiqet të shmanget nga axhenda që e solli në pushtet.
Krejt në fund duhet thënë se një Qeveri e  votuar nga 61 kuvendarë, nuk mund të ketë jetëgjatësi, dhe nuk do të ketë fare nevojë për bashkërendim me listën “Srpska”. Kjo Qeveri do të ketë vështirësi në miratimin e ligjeve elementare, dhe të pamundur të miratojë ligje me 2/3, prandaj nuk do të mund të qëndrojë më këmbë. Çështje të tilla si demarkacioni, Asociacioni etj., do të ishin sfida të rënda për një Qeveri me 62 kuvendarë, dhe rrjedhimisht edhe që do të trandin qëndrueshmërinë e saj.