Shkencëtarët zhvillojnë vaksinën kundër coronavirust, por nuk do të jetë e gatshme për përdorim njerëzor për të paktën një vit

29.01.2020 14:57:36

Shkencëtarët kanë zhvilluar tashmë një vaksinë kundër coronavirust, por nuk do të jetë e gatshme për përdorim njerëzor për të paktën një vit

Ndërsa numri i pacientëve të infektuar me coronavirusin e ri në Kinë kalon numrin e përgjithshëm të infektuarve me SARS të vitit 2003, shkencëtarët në Hong Kong zbuluan se ata tashmë kanë zhvilluar një vaksinë. Por, kjo nuk do të ndihmojë mijëra njerëz të infektuar aktualisht nga virusi.“Ne kemi prodhuar tashmë vaksinën, por do të duhet një kohë e gjatë për të provuar”, tha Yuen Kwok Yung, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Hong Kongut, për South China Morning Post, transmeton Telegrafi.

Yeun nuk ishte në dispozicion për të komentuar kohëzgjatjen e saktë të vaksinës, por ai tha se do të duheshin muaj për të testuar vaksinën te kafshët, dhe të paktën një vit tjetër për të kryer prova klinike te njerëzit, përpara se të ishte e përshtatshme për t’u përdorur.

Gara për të prodhuar një vaksinë është intensifikuar ditët e fundit pasi numri i personave të infektuar me coronavirus ka shpërthyer. Tani ka mbi 6,000 raste të konfirmuara në Kinë, një total që tejkalon nivelin e infeksionit SARS të vitit 2003 që vrau 349 persona në Kinë. Të mërkurën, rajoni i fundit i mbetur i pa infektuar në Kinë, Tibet, raportoi rastin e parë të dyshuar.

Deri më tani, virusi ka vrarë 132 njerëz në Kinë.

Në nivel global, infeksioni gjithashtu vazhdon të përhapet, me Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që raportuan rastet e tyre të para të mërkurën.

Gara e kërkimit

Studiuesit në Hong Kong janë vetëm disa nga studiuesit që garojnë për të zhvilluar vaksina për virusin vdekjeprurës.

Ka të paktën katër laboratorë në SHBA që punojnë për zhvillimin e një vaksine. Instituti Kombëtar i Shëndetit në Maryland ka punuar për këtë çështje për javë të tëra, ndërsa shkencëtarët që punojnë për tre kompani private – Johnson & Johnson, Moderna Therapeutics, dhe Inovio Pharmaceuticals – po kërkojnë gjithashtu të zhvillojnë vaksinat.

Ndërsa shkencëtarët garojnë për të zhvilluar mbrojtje për virusin, qeveritë në të gjithë botën po ndërmarrin hapa për t’i mbajtur qytetarët e tyre të sigurt.