SHKK përgënjeshtron propagandën e Vetëvendosjes

08.11.2016 18:39:22

Ende pa u kallur në dhe trupi i pajetë i Astrit Deharit, Vetëvendosje gjeti kohë të akuzonte Shërbimin Korrektues në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, se po “terrorizonte” një tjetër të paraburgosur të saj. Mirëpo, Shërbimi Korrektues i Kosovës, ia ka kthyer po sot përgjigjen në të cilën, garanton se të gjithë të paraburgosurit në këtë Qendër paraburgimi trajtohen normalisht.

Ky është njoftimi i plotë e Shërbimit Korrektues të Kosovës:

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për deklaratat dhe akuzat e pabaza të adresuara ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan. Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se nuk ka asnjë “terrorizim” apo sjellje të pahijshme të zyrtarëve korrektues ndaj të paraburgosurve. Të paraburgosurit nuk “po enden nëpër zyra të ndryshme” siç po pretendon Lëvizja Vetëvendosje, por po dërgohen për ekzaminime të rregullta si pjesë e procedurave të paraburgimit. Shërbimi Korrektues ka marrë masa shtesë mbikëqyrëse dhe të kujdesit ndaj të paraburgosurve dhe kujdesi i shtuar i zyrtareve korrektues është në funksion të sigurisë së të paraburgosurve dhe asnjëherë nuk ka tendenca keqtrajtimi. Për hir të transparencës, Ministria e Drejtësisë fton Zyrën e Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-në që të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe të verifikojnë gjendjen e të paraburgosurve dhe sjelljet e zyrtarëve korrektues. Shërbimi Korrektues i Kosovës.”