Shoferi i dehur, arrestohet pasagjeri që korruptoi policët. Ja emri

16.01.2017 11:05:42

Pasagjeri i një makine është vënë në pranga nga policia pasi shoferi ishte i dehur dhe ai tentoi që tu japë para punonjësve të policisë rrugore.

Fation Meta, 31 vjeç, banues në Mamurras është vënë në pranga sepse në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, para Hotel “Dajti”, është konstatuar nga punonjësi i  Policisë Rrugore se mjeti tip Mercedes Benz me drejtues shtetasin G. H., 36 vjeç po kryente lëvizje  në mënyrë  të çrregullt në rrugë dhe pasi është ndaluar nga punonjësit e policisë i janë kërkuar dokumentet e mjetit dhe lejen e drejtimit, si dhe i është nënshtruar testit të alkoolit.

Pas kryerjes së dy testeve të alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit drejtonte mjetin  nën ndikimin  e alkoolit dhe për këtë do paraqitej në OASH.

Meta i cili ishte dhe pasagjer i mjetit i ka ofruar punonjësit të policisë rrugore dy kartmonedha me prerje 2000 dhe 1000 lekë të reja, me qëllim që të mos gjobitej dhe të mos dilte në komision drejtuesi i mjetit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Dy kartmonedhat, ku njëra ishte  me prerje 2000 lekë dhe një me prerje 1000 lekë të reja. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.