Shoferi i dehur bie në kanal bashkë me gruan, arrestohet në spital

16.08.2016 12:53:01

I dehur, 36-vjeçari nga Lezha Petrit Pjetri është rrëzuar në kanal ndërsa ngiste makinën mbrëmjen e djeshme. Në makinë ka qënë edhe bashkëshortja e tij, e cila ka përfunduar në spital bashkë me të.

Policia e Lezhës njoftoi sot se e arrestoi Petrit Pjetrin, banues në Lezhë, pasi më datë 15 gusht 2016, rreth orës 20.30, duke drejtuar një “Golf 5” në aksin rrugor Kallmet – Lezhë, ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur në një kanal me ujë në anë të rrugës.

Si pasojë, është dëmtuar ai dhe pasagjerja – bashkëshortja Gj.P. 33 vjeçe dhe u dërguan në spitalin Lezhë, nën kujdesin e mjekëve, ku janë jashtë rrezikut për jetën. Por, rezultoi se Pjetri kishte konsumuar alkool mbi vlerat e lejuara.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale “ Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nën efektin e alkoolit” parashikuar nga nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal.