Shpend Ahmeti në Shqipëri, Visar Ymeri kësaj here hesht!

06.10.2016 19:23:06

Shumica e liderëve kosovarë i kanë dhënë mbështetje Kosovës në lojën e saj në futboll kundër Kroacisë e cila zhvillohet në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër.

E në të njëjtën kohë, me fillim në orën 20:45,  edhe Shqipëria luan në Lihtenashtajn kundër këtij vendi.

Të dy ndeshjet janë në kuadër të eliminatoreve për kualifikime në botërorin ‘Rusia 2018’.

Por ajo që vërehet  është se asnjë nga drejtuesit dhe zyrtarët e lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo opozitare, nuk ka dhënë asnjë mesazh mbështetjeje për Kosovën, por as për Shqipërinë, raporton lajmi.net.

Sidoqoftë, krejt ndryshe duket se ka vepruar Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës. Ai aktualisht ndodhet në Shqipëri, për të ndjekur ndeshjen Kosovë-Kroaci.

“Nuk mund t’ju dëgjoj mirë sepse jam në Shqipëri”, tha Ahmeti për lajmi.net, pa mundur të flasë më gjatë.

Në fakt, Ahmeti i kishte dhënë mbështetje Kosovës edhe me 5 shtator kur luajti për herë pas pranimit të plotë në UEFA e FIFA, dhe barazoi me Finlandën, 1 me 1.

Postimi i Ahmetit me 5 shtator pas ndeshjës Finlandë-Kosovë

E nga ana tjetër,  këtë rrugë drejt Shkodrës për të parë shtetin e vet tek luan futboll, ndryshe nga Ahmeti, nuk e ka ndërmarrë Visar Ymeri, kryetar  i Lëvizjes Vetëvendosje.

Përveç kësaj, ai nuk është bërë i gjallë as në llogarinë e tij në facebook, sikurse që ka vepruar herën e fundit kur Kosova u ndesh me Finlandën e Shqipëria me Maqedoninë.

Për ato dy ndeshje, edhe pse u zhvilluan në të njëjtën kohë sikurse këto që do të luhen sonte, edhe pse ajo Shqipëri-Maqedoni u ndërpre për shkak të shiut, Visar Ymeri, pati shkruar  një mesazh urimi në Facebook vetëm për ekipin kombëtar shqiptar.

“Më mirë një fitore sesa dy barazime. Shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare të përbashkët edhe në sport. Ideja provinciale e pavarësisë së Kosovës si pavarësi nga Shqipëria është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë”, shkroi ndër të tjera Ymeri në llogarinë e tij në facebook me 6 shtator.

Postimi i Ymerit me 6 shtator kur përkrahte kombëtaren shqiptare e injoronte atë të Kosovës

Por kjo bëri që në faqen e tij të shpërthejnë shumë komente nga qytetarë të ndryshëm, duke i rikujtuar ndër të tjera se ai jeton në Kosovë, s  është shtetas i Kosovës, se është deputet i Kosovës e që merr pagë nga taksapaguesit kosovarë, raporton lajmi.net.

Postimi i fundit i Ymerit në llogarinë e tij në facebook nuk ka të bëjë asgjë me futbollin

Ndërkohë, duket se një irritim kaq i madh i qytetarëve nga ai postim, ku nga qindra komente, shumica absolute ishin kundër këtij deklarimi, ka bërë që Ymeri për jo vetëm për ndeshjen Kosovë-Kroaci por edhe për atë Lihtenshtajn-Shqipëri, të heshtë tërësisht.

Kështu, ai nuk ka shkruar koment as për ta mbështetur e as për të mos e mbështetur asnjërin nga dy shtetet.

Komenti i Ymerit i fundit në llogarinë e tij është ai i një dite më parë kur ka shkruar për arrestimin e Nehat Thaçit, komandantit rajonal të policisë për Mitrovicën nga autoritetet e Serbisë.

.