Shpend Ahmeti: Nevojitet urgjent hetim i pavarur për vdekjen e Astritit

18.11.2016 19:44:53

Kreu i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i komenton deklaratat e  prokurorit të Prizrenit Sylë Hoxha i cili deklaroi sot se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje.

Sipas Ahmetit, raporti nuk tregon asgjë më shumë se sa që thanë mjekët ditën e autopsisë, se vdekja është e shkaktuar nga asfiksia nga një objekt i fortë.

Prandaj ai thotë se nuk e kupton pse nevojiteshin 11 ditë për ta publikuar dokumentin 4 faqesh. Ahmeti ka thënë se nevojitet urgjent hetim i pavarur për vdekjen e Astritit.

Postimi i plotë:

Të hënën e kaluar, kam qenë prezent në takimin e mjekëve, hetuesve, avokatëve pas autopsisë sê Astritit. Sot e lexova edhe raportin. Raporti nuk thotë asgjë më shumë se sa që thanë mjekët diten e autopsisë, se vdekja është e shkaktuar nga asfiksia nga një objekt i fortë. Autopsia nuk thotë fare se a është vrasje a vetëvrasje. Për asfiksinë nga objekti i fortë kishte pajtim të mjekëve. Prandaj nuk e kuptoj pse nevojiteshin 11 ditë për ta publikuar këtë dokument 4 faqesh.

Sot prokurori i Prizrenit ka thënë se Astriti është vetëvrarë sepse nuk ka dëshmi se dikush tjetër ka qenë aty. Në keto dëshmi nuk ka pas qasje familja, avokatët apo ndonjë hetues i pavarur. Duke marr parasysh se e njejta prokurori e ka mbajt në burg për 67 ditë pa aktakuzë e bile edhe pa intervistë, nevojitet urgjent hetim i pavarur për vdekjen e Astritit. Kjo do ta zbuste plagen e hapur te familjes e shoqërisë sonë.

Por, Astritin e kane marr në pranga dhe e kanë kthyer në arkivol. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi ligjore, morale e politike. Këtë duhet ta kërkojmë përditë deri ne arritjen e drejtësisë për Astritin.