Shpëtoi binjaket nga mbytja, kryebashkiaku i Fierit i jep certifikatë mirënjohje

17.08.2018 21:46:09

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, priti sot në takim të riun Ardimir Murataj, i cili u shpëtoi jetën dy vajzave të mitura, teksa nëna e tyre tentoi t’i mbyste.

“Pata një ndjesi të veçantë sot kur u takova me Ardimirin, ndoshta janë të shumtë personat që do e bënin këtë gjest, por jo të gjithë. Kjo ishte arsyeja që kërkova ta takoja këtë të ri të guximshëm dhe human, ta falënderoja përzemërsisht dhe t’i shprehja mirënjohjen time si qytetar dhe si kryetar bashkie, duke shpresuar që ky shembull të bëhet model frymëzimi për të gjithë”, u shpreh Subashi.

Kryetari Subashi e nderoi të riun Murataj me certifikatë mirënjohjeje për shpëtimin e jetës së dy vajzave të mitura.

Më 13 gusht, në fshatin Grecalli të Fierit 42-vjeçarja Rudina Kishta, pasi i vuri flakën shtëpisë së bashkëjetuesit, me gjakftohtësinë më të madhe tentoi që të mbyste në lumin Seman dy vajzat e saj 6-vjeçare, të cilat u shpëtuan nga Ardimir Murataj.