Shpresë nga Italia, kisha e varrezave në Bergamo për herë të parë pa arkivole

18.04.2020 21:39:10

Italia është një nga shtetet më prekura nga koronavirusi në botë. Deri më tani vendi fqinj numëron 175,925 të infektuar dhe 23,227 viktima.

Së fundmi, fuqia e epidemisë në vend është drejt rënies dhe kryetari i bashkisë së Bergamos ka dhënë edhe një tjetër lajm të mirë.

Në llogarinë e tij personale në Facebook, Giorgio Gori ka publikuar një foto që përcjell shpresë.

Në foto shihet kisha e varrezave në Bergamo që më në fund është bosh, pa arkivole me trupa të pajetë, për herë të parë që nga nisja e epidemisë në vend.

Bashkë me foton, Gori shkruan:

“Kisha e varrezave në Bergamo, më në fund bosh.”

Javët e fundit kisha e varrezave, ishte e mbushur me arkivole për shkak të numrit të madh të viktimave nga koronavirusi në këtë qytet.

Kujtojmë këtu se brenda 24 orëve, si pasojë e koronavirusit në Itali kanë humbur jetën 482 persona. Të shtunën rezulton se janë regjistruar 93 viktima më pak, krahasuar me një ditë më parë.