Shqipëri/ 100 vatra të reja nga COVID-19, Manastirliu tregon se kur do të hapet plotësisht vendi

30.04.2020 11:10:24

“Jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, ku aktualisht kemi 272 persona aktivë të prekur nga COVID19 dhe po bëhet një punë shumë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioni”.  Kështu deklaroi ministrja Manastirliu  gjatë  fjalës së saj në Kuvend, e cila zbuloi dhe planin për heqjen e masave kufizuese.

“Jemi drejt një strategjie rihapje por jemi duke u treguar shumë të kujdesshëm. Duhet të vijojnë të respektohen masat e distancimit dizik të cilat deri më sot kanë dhënë rezultat për të mos patur një incidencë të lartë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë 773 raste pozitive me COVID19, prej tyre 60% janë të shëruar.

“Sot konstatojmë shpërthime në vatra familjare, janë më shumë se 100 vatra dhe po bëhet një punë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Është një punë shumë e madhe që po bëhet nga mjekët, infermierët, epidemiologët në terren”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha në Kuvend se hapja e një seri biznesesh në fillimin e kësaj jave është pjesë e strategjisë së rihapjes, për të vlerësuar situatën për dy javët që pasojnë.