Shqipëri, 8 viktima nga koronavirusi në 8 ditët e fundit

19.06.2020 16:07:14

Në Shqipëri, një tjetër person me COVID 19 ka humbur jetën, duke u bërë viktima e 8 brenda tetë ditëve të fundit.

Sipas autoriteteve të Shëndetësisë bëhet fjalë për një 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, i cili merrte mjekim intensiv prej 10 ditësh në spitalin infektiv. Vetëm gjatë ditës së djeshme, 3 persona humbën jetën po në këtë spital. Që nga fillimi i pandemisë, në Shqipëri janë rregjistruar 42 viktima.

Sot u njoftua për 50 të infektuar të tjerë, të shpërndarë në 12 qytete të vendit: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë. Pjesa më e madhe e tyre konsiderohen si raste të reja dhe jo kontakte të personave të prekur me parë.

Në 10 ditët e fundit, numri i të infektuarve po rritet me ritme të larta, duke shkuar në 575 raste ose 31 përqind e totalit që nga fillimi i pandemisë në muajin mars. Prej shumë ditësh shifrat e të prekurve janë ndjeshëm më të lartë se të të shëruarve, ndërsa në të gjithë vendin janë 682 raste aktive. Pjesa dërrmuese gjenden në Tiranë, 317 të infektuar, pasuar nga Durrësi me 140 persona dhe Shkodra, 112 të tjerë aktivë.

Gjatë 24 orëve të fundit është rritur sërish dhe numri i të shtruarve në spital, ku ndodhen 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Ministria e Shëndetësisë përsëriti sot thirrjet për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave dhe protokolleve të sigurisë duke deklaruar se po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë.