Shqipëri/ Ardi Veliu prezantohet në krye të Policisë së Shtetit: Kemi nevojë për një hov të ri

05.02.2018 22:39:37

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është prezantuar mbrëmjen e sotme kreu i ri, Ardi Veliu.

“Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin.

Dhe kjo do të ndodhë.
Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.

Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore.

Ne polici nuk mungojnë njerëzit e kualifikuar e profesionistë, po ata jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur.

Vënia në efiçencë e kapaciteteve njerëzore, trajnimi i tyre i mëtejshëm, ngritja në vazhdimësi e kapaciteteve të reja, vlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së punonjësve të policisë, do jetë objektivi kryesor i punës së policisë në të ardhmen.

Do ti kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për ti bërë ata më të motivuar e përkushtuar për të realizuar objektivat.

Do të vlerësohet punonjësi i policisë, i cili është më i përkushtuar dhe më rezultativ.

Menaxhimi me efiçence i burimeve financiare, logjistike si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i teknologjisë do të jetë fokusi i punës së Policisë që unë do të drejtoj me përkushtim.

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të vlefshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të arritur në një polici të standardeve perëndimore”, u shpreh mes te tjerash Veliu, në ceremoninë ku i pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Veliu mori gradën “Drejtues i Parë” në konkursin që u zhvillua më 24 janar. Kjo ishte e vetmja pengesë ligjore e cila e pengonte atë të zgjidhej në këtë detyrë. Por kush është karriera e tij?!

Formimin e parë Veliu e ka marrë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” për të vijuar më pas me studimet në Akademinë Ushtarake dhe në Akademinë e Policisë. Më pas Veliu kryen studime edhe në Akademinë e Policisë në Ankara të Turqisë. Disponon edhe diplomë për menaxhim biznesi dhe juridik.

Ndër detyrat e rëndësishme që kreu i ri i policisë ka mbajtur gjatë karrierës së tij janë shef rendi në Vlorë, shef komisariati në Durrës, zv/drejtor policie në Tiranë, drejtor i policisë rrugore dhe së fundmi drejtor I policisë së Tiranës. Në vitin 2007, Veliu është larguar me kërkesën e tij nga policia.

Për 7 vjet ai mbajti detyrën e drejtorit të policisë bashkiake në Vlorë, në kohën kur kryebashkiak ishte Shpëtim Gjika. Pas rikthimit sërish në polici në vitin 2013, ai e gjen vetën në kupolën drejtuese në uniformave blu.