Shqipëri: Buxheti 2017, qeveria nuk ka lekë për Syrin e Kaltër, por ‘hap thesin’ për vilat qeveritare

28.11.2016 10:43:48

Ministria e Zhvillimit Urban ka përfituar mbështetjen financiare të rikonstruksionit të godinës së saj në vlerën e 262 milionë lekë për vitin 2017 nga 320 milionë lekë në total.

Ndërkohë që Rivitalizimi i Monumentit Natyror “Syrit i Kaltër” i cili është artaksion për mijëra turistë vendas dhe të huaj, nëpërmjet ndërhyrjeve në mobilim urban është një projekt që është parashikuar të vlejë 250 milionë lekë, por që qeveria nuk e ka parë të arsyeshme ta vlerësojë për ta financuar.

Siç parashikohet në projektbuxhet ky projekt do duhet të presë për t’u financuar përtej vitit 2019. Ndaj edhe për disa vite të tjera një nga pikat më të bukura dhe më të vizituara nga turistët në Shqipëri do jetë e vështirë për t’u aksesuar për shkak të rrugës së paasfaltuar dhe mungesës së çdo elementi tjetër urban.

Ndërkohë nga ana tjetër po në buxhetin e kësaj ministrie është parashikuar që në vitin 2017 të financohet ndërtimi i një kati shtesë në godinën e përgjithshme të ALUIZNI-t në vlerën e 270 milionë lekëve.

Një investim ky që vjen në një kohë kur misioni i ALUIZNI-t po vjen duke u reduktuar për shkak se procesi i legalizimeve është konceptuar të jetë i përkohshëm dhe të mbarojë shumë shpejt.

Po ashtu po kjo ministri ka parashikuar që për blerje pajisje zyre AKPT, AQTN, AZHT, ALUIZNI të shpenzojë 230 milionë lekë. Por ndërsa ka refuzuar të financojë projektin e Syrit të Kaltër qeveria ka vendosur të shpenzojë një shumë të konsiderueshme lekësh për rikonstruksionin dhe mobilimin e vilave qeveritare.

Kështu në projektbuxhet është parashikuar rikonstruksioni dhe mobilimi i pjesshëm i Vilës 30, në Tiranë me 65 milionë lekë të rinj, të gjitha të programuara për t’u shpenzuar në vitin 2017.

Gjithashtu është parashikuar studim projektimi për rikonstruksionin dhe mobilimin e pjesshëm të vilës 30, në Tiranë në vlerën e 21 milionë lekëve po për vitin 2017. Ndërkohë që 210 milionë lekë qeveria shpenzoi edhe gjatë vitit 2016 për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Dhërmi.