Shqipëri/ Dosja “Xibraka”/ Lirohet nga burgu Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit

17.09.2018 22:51:03

Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha është liruar nga burgu tre vjet pas dënimit për akuzën e trafikut të drogës në tentativë.

Mësohet se Hoxha është liruar me kusht dhe se ai e ka lënë qelinë ditën e premte me 14 shtator. Ai u kap pas një operacioni të policisë në Xibrakë në 14 janar 2015, ku ishte ndërtuar një laborator droge që merrej me përpunimin e kokainës.

Ermal Hoxhës i ka mbetur edhe 1 vit e 6 muaj burg pa vuajtur nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Në muajin nëntor 2017, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e nëntë të pandehurve për dosjen “Xibraka”, të cilëve iu njoh gjykimi i shkurtuar. Rrjedhimisht, sipas trupës gjyqësore të Apelit, nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar secili nga të pandehurit përfiton një të tretën e uljes së dënimit.

Mes të shpallurve fajtorë ishte edhe Ermal Hoxha, nipi i dikatorit Enver Hoxha, të cilit nga 10 vite burg që vendosi Shkalla e Parë, nga Apeli iu dha dënimi me 6 vjet e 8 muaj burgim.

Për të kërkuarin nga drejtësia Genci Xhixha dhe për Saimir Batkun gjykata vendosi 8 vjet e 7 muaj burgim, ndërkohë që për Gentian Gjonajn dhe Klement Dalipin nga 7 vjet e 3 muaj burgim.

Pesë muaj më parë shkalla e parë vendosi 104 vite burgim për të akuzuarit, mes tyre edhe kolumbianët Cezar Avila, i dënuar nga Apeli me 6 vjet e 8 muaj burgim dhe Valter Moreno, i dënuar po nga Apeli me 8 vjet burgim.