Shqipëri: Fletë-arrestet, me Ramën kryeministër, shkojnë dëm

25.11.2017 09:36:23

Arrestimet e drejtorëve të policisë janë të mirëpritura, por për sa kohë ato nuk shkojnë tek porositësit e vërtetë të trafikut të drogës, ato mbeten masa gjysmake. Diga e vërtetë ndaj hetimeve është politikisht e drejtuar nga Edi Rama, i cili vijon ende të bllokojë hetime e arrestime, përmes mbajtjes në detyrë të Haki Çakos, kandidatit më të mirë për t’u servirur si koka e turkut e këtij hetimi. Por përgjegjësit e vërtetë janë politikanë, jo policë, prandaj, me Ramën kryeministër, s’ka asnjë shpresë për hetim të mirëfilltë të narkotrafikut shqiptar që tronditi Perëndimin

 

Mbrëmjen e djeshme, Prokuroria për Krimet e Rënda ka lëshuar urdhër-arreste për disa ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Mësohet se mbi këta ish-drejtues komisariatesh, rëndon akuza e përfshirjes në trafikun e lëndëve narkotike. Emrat që priten të arrestohen janë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-drejtori i Kufirit në Vlorë, Sokol Bode, i cili ka dalë edhe në foto me Moisi Habilajn. Ndërsa zyrtari i tretë i Policisë është Alban Çela, ish-drejtor i Policisë në Shkodër, Kukës e Lezhë.

Çela është edhe kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Këta ish zyrtarë janë të përlyer në trafikun ndërkombëtar të drogës së bashku me ish ministrin Tahiri dhe vëllezërit Habilaj. Këto janë masa paraprake të mirëpritura nga mbarë qytetarët e opozita, por nuk mund të mbeten në këtë masë, sa kohë qe kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako gjendet i lirë. Çako është po aq i përlyer sa edhe këta ish zyrtarë të Policisë në kultivimin dhe trafikun e drogës.

Kryepolici i vendit dhe kryebaroni i drogës, Edvini janë iniciatorët e shndërrimit të vendit në Kolumbinë e Europës. Kreu i policisë i akuzuar në mënyrë të vazhdueshme nga qytetarët dhe opozita për lidhje të ngushta me krimin dhe narkotrafikun po kërkon të dalë i paprekur nga dosja Habilaj, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme po përpiqet të mohojë bashkëpunimin me bandat. Ky, kryepolici i vendit, në këto katër vite nuk provoi asnjëherë të ndërhynte për të goditur kriminelët dhe baronët e drogës, pasi këta persona kontrollonin narkotrafikun me mbështetjen e tij dhe të Edvinit.

Sa kohë që Rama qëndron ende në krye të vendit është e vështirë që Shqipëria të pastrohet nga bandat dhe krimi. Me gjithë seriozitetin e treguar nga Edi Rama në projektin e tij për kriminalizimin dhe kanabizmin e Shqipërisë në vitin e parë të qeverisjes, duket se kabineti “Rama2” ndryshe nga ç’thuhet në mediat e kazanit të qeverisë, do të punojë në shërbim të bandave të narkotrafikut me të njëjtën devotshmëri si më parë. Stoku i drogës në depot e ministrave dhe deputetëve “rilindas” është aq i madh sa do të detyrojë Ramën t’i imponojë të tijve përkushtimin dhe seriozitetin në punën e tyre për ta transportuar kanabisin deri në Evropë. Që e gjitha kjo të marr fund, duhet që peshku i madh të marr gjykimin e merituar.