Shqipëri: “Habilaj”, Dritan Zagani: Nëse Tahiri arrestohet, bie edhe qeveria

24.10.2017 00:20:03

Dritan Zagani, oficeri i Policisë së Fierit, i cili denoncoi në media lidhjen e Sajmir Tahirit me bandën e Habilajve, ka deklaruar se ish-ministri i Brendshëm nuk do të arrestohet.

Në një intervistë për portalin online të Katanias, “MeridioNews” (media që zbuloi përgjimet dhe detajet e hetimit, përfshirë disa biseda të përgjuara të Moisi Habilajt, i cili diskuton me trafikantët, duke përmendur edhe emrin “Sajmir”),  Zagani thotë se nëse Tahiri arrestohet, bie edhe qeveria. Ai pranon se policia shqiptare trafikon marijuanë.

Zagani, polici antidrogë i detyruar të kërkojë azil në Zvicër, në një lokalitet sekret, akuzohet në Shqipëri për shpërdorim detyre, pasi në të shkuarën dyshohet se i përcillte informacione hetimore Italisë. Ka qenë ai, i cili mes 2014-2015-ës, ishte i pari që akuzoi Tahirin se ishte përfshirë në trafikun e drogës, duke zbuluar edhe funksionimin për transportin e drogës dhe të makinës private të ish-ministrit për kushërinjtë e tij.

Tani në Shqipëri, të gjithë janë kthyer të flasin për një përfshirje të ish-ministrit në narkotrafik. Ju si jeni?

Hetuesit italianë më kanë bërë dhuratën më të bukur në botë, por unë jam gjithsesi keq, nuk jam i lumtur për atë që po ndodh në vendin tim. Tashmë jam larguar prej disa vitesh dhe ndodhem nën akuzë edhe pse nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Unë jetoj me gruan dhe tre vajzat e mia. Po përpiqem të bëj një jetë të dytë në Zvicër dhe nëse vendosa të largohem nga Shqipëria, e kam bërë para së gjithash për familjen time.

Keni kaluar nga roli i shefit të policisë anti-drogë në Fier, në të burgosur nga vendi juaj. Si ka mundësi?

Në vitin 2014 hetoja mbi një bandë trafikantësh të lidhur me kushërinjtë Habilaj. Një grup shumë i fuqishëm që trafikonte kokainë dhe armë. Kisha dhe informacione, por më pas më futën në burg. Gjatë hetimeve pashë edhe makinën e famshme “Audi”, që më pas zbulova se atëherë ishte e ministrit Sajmir Tahiri. Mësova se ajo përdorej për të bërë udhëtime të dyshimta, por denoncimet e mia nuk u morën parasysh.

Ju përfunduat në burg. Për sa kohë qëndruar brenda? Ç’lidhje kishte puna që bënit me policinë italiane?

Më mbajtën në burg 6 muaj dhe 8 ditë, pa ardhur asnjë prokuror që të më dëgjonte. Asnjë nuk më hetoi, thjesht më harruan. Asokohe bashkëpunoja edhe me hetuesit italianë, përmes kanaleve informale siç ndodh në të gjithë botën. Është pikërisht kjo gjë ajo që solli akuzat ndaj meje, se unë isha një nga ata që shisnin informacione.

Gjatë kësaj kohe keni biseduar me zyrtarin Alessandro Giuliani, i cili për një periudhë ka qenë nën përgjim. Kështu përfunduat në telashe edhe ju, siç keni treguar në të shkuarën në “Le Iene”, për çështjen e drogës. Mund t’iu shpëtonte shefja e Interpolit në Tiranë, Anna Poggi, por gjërat shkuan ndryshe.

Ka pasur vetëm fjalë ndaj meje, pa asnjë provë. Unë mund të them me siguri që do të luftoj deri në fund dhe do t’i nxjerr këta njerëz para gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg.

Shqipëria mbetet kanali i parapëlqyer i furnizimit me marijuanë të Sicilisë. Përgjatë viteve, a kanë ndryshuar mënyrat e përdorura nga trafikantët?  

“Deri në vitin 2014, kisha shumë informacione mbi trafikun me kamionë, por edhe përmes detit me peshkarexhë. Kisha informacione edhe për trafik për në Kalabri. Gjatë asaj periudhe më transferuan disa herë dhe shërbimet sekrete më informonin që droga transportohej edhe me avionë të vegjël të turizmit. Rreziku ishte i madh, sepse transportonin 200-300 kg marijuanë gjatë çdo udhëtimi. Kjo mund të ndodhte vetëm me mbështetjen e një niveli të lartë…

Sa korrupsion ka në vendin tuaj? Habilaj gjatë përgjimeve, fliste disa herë duke iu referuar policisë në trafikun e drogës.

E kam denoncuar gjithnjë korrupsionin. Por problemi i vërtetë është, kur zyrtarë të forcave të rendit, kanë interes në narkotrafik. Edhe politikanët kanë përdorur paratë e kriminalitetit, madje me financime për zgjedhjet. E gjithë bota e di se janë mbyllur sytë për të lejuar kultivimin dhe shitjen e marijuanës.

A do të ndryshojë ndonjëherë kjo situatë?

Duhet kohë për të ndryshuar në Shqipëri. Duhet një punë e madhe e Europës, ose rrezikon të kthehet në një strehë për kriminalitetin. Përndryshe, është vetëm revolucioni si zgjidhje. Mafia është shumë e fortë dhe në bazë të saj është droga.

Parlamenti, sipas jush, do të marrë një vendim të fortë për Tahirin?

Nuk do të votojë në favor (për heqjen e imunitetit dhe arrestimin), sepse Tahiri është vetëm hallka e një zinxhiri që nuk mund të këputet, sepse me të do të rrëzohej edhe qeveria shqiptare.

Shkrimi origjinal:  Droga dall’Albania alla Sicilia, parla l’agente in esilio. «Nel mio Paese anche la polizia traffica la marijuana»