Shqipëri: Ilir Meta: Dialog të mirëstrukturuar për çeljen e negociatave

16.01.2018 11:26:34

Shqipëria ndodhet në një moment delikat, me reforma në proces zbatimi dhe të tjera që pritet të miratohen, ndaj presidenti Ilir Meta ka kërkuar dialog të mirëstrukturuar nga palët politike.

Në një intervistë për Albania Daily Neëws, kreu i shtetit thekson se dialogu do të ishte i frytshëm sidomos për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Shqipëria po hyn në një fazë të rëndësishme të integrimit evropian dhe të gjitha përpjekjet duhen përqendruar për të kapur këtë mundësi më mirë herët sesa vonë. Është tamam koha për një dialog strukturor mbi reformat kyçe, që kanë nevojë për zbatim të shpejtë”, është shprehur Meta.

Meta ka nënvizuar se e rëndësishme është që çdo institucion të kryejë detyrat dhe funksionet përkatëse në dobi të interesave të vendit.

“Është e domosdoshme që çdo institucion të kryejë detyrat e funksionet e tij përkatëse, duke u mbështetur mbi Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi”, thotë Presidenti.

Lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me fqinjët, kreu i shtetit thotë se do të dëshironte më shumë që marrëdhëniet me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit të zhvillohen më tej për çështjet e interesit reciprok.

“Ne nuk e kemi luksin të zgjedhim fqinjët tanë, por ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë një fqinjësi të qëndrueshme dhe të sigurt për interesat kombëtarë. Dëshiroj t’i shikoj marrëdhëniet tona me Serbinë, si dhe me të gjithë vendet e tjera të rajonit, të zhvillohen më tej për të gjitha çështjet e interesit reciprok. Do të doja të shikoja më tepër angazhim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në frymën e besimit dhe bashkëpunimit reciprok”, nënvizon Meta.