Shqipëri: ish-presidenti Bujar Nishani ka lëshuar alarmin: Krimi ka nisur të ndëshkojë shtetin

22.09.2017 16:20:43

Në lidhje me situatën e fundit në qytetin e Elbasanit, kur makina e blinduar goditi automjetin e policisë ne Elbasan, ish-presidenti Bujar Nishani ka lëshuar alarmin.

Me një postim të gjatë në faqen e tij në FB, Nishani shkruan se tashmë krimi ka nisur të ndëshkojë shtetin dhe flet për situatë të rrezikshme, nëse bandat kriminale nuk goditen atje ku e kanë forcën, te paratë.

Nishani thotë se, një grup dukshëm i strukturuar kriminal sulmon në një akt gati vrastar me makinë të blinduar mjetin e forcave të policisë në Elbasan.

Ai shton se shkaku formal sipas deklarimit zyrtar të policisë ishte sekuestrimi i disa makinave luksoze në pronësi të anëtarëve të këtij grupi.

“Në Shqipëri ka pasur vijimësisht aktivitet kriminal të grupeve të strukturuara si të tilla. Por veprimtaria e tyre shoqërohej me frikën nga goditja prej strukturave të shtetit. Ndaj krimi përpiqej të fshihej sa më shumë prej tij, të largohej sa më larg nga ai por edhe të tentonte kompromentimin e individëve të caktuar të tij. Sot rolet kanë ndryshuar”, komenton ish-presidenti i vendit.

Krimi i organizuar ka nisur të ndëshkojë shtetin, me akte publike madje, shprehet ish-Presidenti, duke nënvizuar se gangsterët e bandave kriminale ndihen tashmë me pushtet mbi policinë.

“Ata e shohin policinë si shërbyese të tyre e jo si përndjekëse e shkop force për ta. Kjo ishte e pritshme, për fat të keq. Nëse policia jo vetëm nuk i goditi ata gjatë kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, por madje i inkurajoi dhe në raste të caktuara bashkëpunoi me ta, s’kishte si ndodhte ndryshe sot”, vijon më tej, Nishani qëndrimin e tij.

Sipas ish-kreut të shtetit, ai mund të kthehet përfundimisht në fatalitet nëse nuk arrestohen dhe tregohen publikisht agresorët ndaj policisë në Elbasan dhe se nëse nuk bllokohen dhe futen në proces konfiskimi bizneset e anëtarëve të këtyre grupeve.

Në fund, ish-kreu i shtetit jep dhe një këshillë se si mund të luftohen organizatat kriminale. “Mbledhja për disa ditë në oborret e komisariateve të disa makinave është asgjë. Goditja u duhet dhënë atje ku ata pastrojnë paranë e pisët. Atje ku i shumëfishojnë paratë e krimit. Ato dihen, janë publike, të pa kontrolluara. Nëse kjo nuk bëhet ata pasi do ta ndëshkojnë mirë e mirë shtetin do ta blejnë të gjithin atë”, – thekson ai