Shqipëri: Lulzim Basha: 800 mijë euro janë të Tahirit. Ngjarja u fsheh nga Rama

04.11.2017 12:12:21

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se 800 mijë eurot e gjetura në makinën e një personi të dyshuar i cili tentoi t’i largohej policisë dje në Elbasan, janë të ish-ministrit Sajmir Tahiri.

Në një status në “facebook”, lideri demokrat ka theksuar se edhe dy patentat e gjetura në mjetin e Orest Sotës janë të ish-deputetit socialist.

“Burime të sigurta informojnë se: 1. E gjithë shuma prej 800 mijë euro është e Sajmir Tahirit, ashtu si dy patentat për drejtim mjetesh lundrimi të tonazhit 20 deri 100 tonë, – shkruan Basha. – Njëri prej këtyre mjeteve lundruese u zhvendos nga porti i Durrësit me 19 tetor, dy ditë pasi dolën përgjimet e Habilajve. Orest Sota ka mohuar njohjen me Tahirin ndërkohë që rezulton se me këtë makinë kanë lëvizur disa herë jashtë shtetit bashkë”.

Basha po ashtu akuzon edhe ministrin e Brendshëm Xhafaj dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako për fshehje të ngjarjes. “Me urdhër të Çakos dhe Fatmir Xhafës dhe me porosi të Edi Ramës është fshehur nga njoftimi paraprak i policisë, shuma e parave dhe kapja e dy lejeve të drejtimit për mjete lundruese 20 dhe 100 ton, në emër të Sajmir Tahirit”.