Për të parandaluar fenomenet e shëmtuara të disa zonave në vend, që kanë prishur edhe imazhin e Shqipërisë jashtë, Policia e Shtetit do të nisë së shpejti operacione anti-skifter, që kanë të bëjnë kryesisht me grabitjen e banesave.
Lajmi është brë i ditur nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili ka theksuar se kanë nisur bashkëpunimin me Gjermaninë dhe disa vende të tjera evropiane.
”Ne kemi detyrat tona, por nuk mund t’i bëjmë të vetëm, pa pjesëmarrjen e qytetarëve. Nuk mund të vendosim policë në çdo rrugë fshati, shezlong apo hyrje pallati. Nuk mund të ketë një polici për papaqin, dhe një polici tjetër për atë që lëviz me makina të shtrenjta dhe i bën karshillëk shtetit, – tha Xhafaj në “Forumin për Sigurinë Publike” në Lezhë. – Kemi të rinj nga Laçi dhe Lezha që janë përfshirë në veprimtari kriminale jashtë vendit. Ky është një fenomen i shëmtuar, cenon rëndë imazhin e vendit, jetën, punën e qindra shqiptarëve që jetojnë me punë dhe djersë. Ne kemi nisur me Gjermaninë dhe vende të tjera operacionin anti-skifter. Bashkë me policitë e vendeve të tjera do të japim edhe një faqe publike për sendet e vjedhura, -tha Xhafaj. – Ndëshkimi do të jetë edhe për ata atje, por edhe këtu”.
Xhafaj më pas paralajmëroi. “Jo më larg se sot, pasdite policia ka dy operacione me Spanjën dhe Gjermaninë, me aktivitet të rëndë kriminal. Do të thellojmë hetimin për pronat në bregdet, jo vetëm në Lezhë, por edhe në Durrës dhe në Vlorë. Gjithashtu të gjitha akset rrugore do të monitorohen me kamera”, – nënvizoi ministri.






































