Shqipëri/ Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda: Hetimet për Saimir Tahirin do të zgjaten edhe 3 muaj

24.01.2018 02:12:13

Hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri do të zgjaten edhe tre muaj. Vendimin e ka marrë sot, Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi afati i parë tremujor sapo përfundoi. ish-ministri Tahiri hetohet për lidhje të ngushta me bandën e Habilajve në trafikun e lëndëve narkotike. Vazhdimësia e hetimit i iu premtua prokurorit të çështjes, Besim Hajdarmatajt, edhe nga Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, e cila e priti paradite në zyrën e saj. Në një njoftim lakonik sot, Prokuroria e Përgjithshme shprehej: Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku mbështet hetimet tërësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për çdo çështje e në çdo nivel, kundër krimit dhe korrupsionit. Zonja Marku ia dha mbështetjen kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj kur e priti në Prokurorinë e Përgjithshme paraditen e së hënës, 22 janar 2018. Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku kërkon që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara. Kryeprokurorja znj.Marku garantoi bashkëpunim për hetime të vazhdueshme të çështjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj kujtdo që shkel ligjin. Prokuroria e Përgjithshme rithekson mbështetjen e nevojshme për çdo çështje, me çdo mjet dhe në çdo kohë, për të çuar përpara hetimet. Prokuroria e Përgjithshme vë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha burimet njerëzore dhe infrastrukturore për kryerjen me sukses të detyrave përputhshmërisht me ligjin.