Shqipëri/ Vera e heshtur e Partizanit, pa bujë në merkato

30.06.2018 15:07:19

Partizani ka zgjedhur një rrugë ndryshe për të startuar sezonin dhe kjo është e qartë nga lëvizjet në merkato por dhe emri i përzgjedhur për të drejtuar ekipin. Ndryshe nga edicionet e kaluara kur të kuqtë me shumë zhurmë konfirmonin largimet dhe afrimet e shumta këtë verë kanë zgjedhur heshtjen.

Ardit Hila është lojtari i vetëm i afruar deri më tani ndërkohë që aventurën me fanellën e kuqe e ka mbyllur kapiteni Idriz Batha që është një hap larg konfirmimit zyrtar për të luajtur tek Larissa në kampionatin grek.

Lëvizja më e bujshme është afrimi i një emri të njohur në stol, Skënder Gega, por që gjithsesi klubi vendosi ta prezantojë pa zhurmën e zakonshme, duke iu përshtatur tiparit kryesor të trajnerit të ri, përulësisë. Gjithçka me shumë qetësi njësoj si dhe faza përgatitore, me Ohrin të përzgjedhur si destinacion për të përgatitur duelin e dyfishtë me Mariborin në raundin e parë eleminator të Europa League.

Mungesa e afrimeve të bujshme ndoshta ka lidhje me faktin që drejtuesit kërkojnë të shfrytëzojnë të rinjtë dhe grupin e formuar që nga edicioni i kaluar, për më tepër që trajneri Skënder Gega ka punuar për 4 vite me ekipet e moshave të Shqipërisë, në fillim me 19-vjeçarët dhe më pas me 21-vjeçarët, duke krijuar kështu eksperiencën e nevojshme për të menaxhuar një grup të mbushur me të rinj, por që kanë mbi supe presionin e rezultatit.

Ndryshe nga vitet e shkuara edhe drejtuesit më të lartë të klubit kanë evituar të përmendin fjalën titull në daljet e tyre të para sezonale, duke preferuar që të kalojnë etapat njëra pas tjetrës, duke ndryshuar rrënjësisht strategjinë, me qetësinë që mbizotëron kudo në ambientin e kuq.