Shqipëri/ Vetëvrasjet nga COVID, psikologët: Të lejohen telefonat në spitale, s’duhet të mungojë komunikimi me familjen

03.09.2020 22:13:43

Viktima e dytë e shënuar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, një pacient 65 vjeçar, ka nxjerrë zbuluar problematikën që po ndodh brenda mureve të dy spitaleve që trajtojnë pacientët me koronavirus.

E pyetur nga gazeta “Shqip”, psikiatria e njohur, Arjana Rreli, thotë se pandemia i gjeti stafet mjekësore të papërgatitura. Sipas saj, në kushtet e mbingarkesës fizike, për shkak të fluksit të shtrimeve, edhe gjendja emocionale e stafit mjekësor është rënduar duke e përcjellë këtë kaos dhe tek pacientët.

Kjo ka sjellë dhe një mbireagim prej pacientëve.

“Nga informacionet brenda spitalit kemi vënë re se jo të gjithë pacientët reagojnë njësoj, një pjesë e tyre janë emocionalë dhe të brishtë duke mos e pritur mirë sëmundjen.

Brenda institucioneve me siguri është një tension shumë i lartë emocional ku ka një lloj feedback pra tensioni është në ajër dhe përcillet shpejt tek pacientët. Rrezikshmëria e transmetimit të virusit i ka izoluar nga familjarët, duke i hequr dhe telefonat. Kjo ka sjellë presion të lartë në shëndetin mendor. Përveç pasojave të drejtpërdrejta nga virusi në sistemin nervor, është dhe ky presion i lartë psikologjik që krijohet në këto ambiente. Kjo sjell dhe qëndrime të gabuara nga pacientët duke i çuar në vendimmarrje ekstreme siç është vetëvrasja”, shpjegon për “Shqip” psikiatria Arjana Rreli.

Në këtë linjë mendimi është dhe psikologia Entela Binjaku e cila, e pyetur nga “Shqip” thotë se komunikimi me palët e treta është i nevojshëm sepse do të çlironte mjaft nga ky presion që nuk ndihmon situatën.

“Mungesa e komunikimit, heshtjet e gjata, ose hera-herës edhe etika e ulët në komunikim nga ana e shërbimit shëndetësor, ka rënduar edhe vetë reputacionin dhe besueshmërinë e këtij shërbimi. Të mos harrojmë që jetojmë edhe një kohë ku informacionet qarkullojnë në shumë drejtime dhe shpesh edhe të pavërtetat zënë vend menjëherë dhe shpërndahen me lehtësi”, thotë psikologia Binjaku.

Nisur nga ky shqetësim, psikologia thotë se nevojitet të flitet më shumë edhe për të drejtat e pacientit që ndodhen  të përpiluara  në kartën shqiptare të të drejtave të pacientëve.

“Koncepti i të drejtës në përgjithësi në shoqërinë tonë ka humbur dhe këtu nuk bën përjashtim as të drejtat e pacientëve”, thotë Binjaku.

Por dhe pacientët që trajtohen në shtëpi, vuajnë nga çrregullimet psikologjike që shoqërohen me ankth, pagjumësi.

Psikologia Entela Binjaku në intervistën e saj për “Shqip” shpjegon se kjo kategori ka nevojë për mbështetje, për komunikim të vazhdueshëm, ka nevojë të kufizojë ekspozimin ndaj informacioneve për kovidin, të ndjekë aktivitete që i rregullojnë rutinën e përditshme, më së shumit të ndjekë ato që i japin dhe kënaqësi.

“Këta pacientë kanë nevojë të rrisin aktivitetin fizik, të përshtatë regjimin ushqimor, të ushtrojë teknika relaksimi që i rregullojnë gjumin sepse ankthi prej kovidit shkakton edhe pagjumësi, të kërkojë mendimin nga një specialist i shëndetit mendor, psikiatër apo psikolog që t’i japin këshillat më të mira apo opsionet e mjekimit që të ndihmojnë ruajtjen e nivelit optimal të shëndetit psikik”, shpjegon psikologia Entela Binjaku.