Shqipëria dhe Kosova arrijnë marrëveshje për mobilitetin në punë

02.09.2020 15:53:45

Në prag të mbledhjes së radhës së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, sot, ministri i MPMS-së, Skender Reçica, bashkë edhe me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, u takuan me ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Anila Denaj, për të intensifikuar edhe më tej veprimet e nevojshme në rrugëtimin e nisur që moti, për lehtësimin e jetës së qytetarëve.

Reçica dhe Denaj u dakorduan për arritjen e marrëveshjes së mobilitetit në punë, marrëveshje kjo e cila ua mundëson qytetarëve të këtyre vendeve të kenë mundësi të barabarta punësimi, arsimi dhe aftësimi profesional, anekënd hapësirës sonë gjeografike, pavarësisht vendit prej nga vijnë.

Kuadrot e të dyja vendeve me arritjen e kësaj marrëveshje do të shfrytëzojnë tregun e përbashkët të punës, i cili do të jetë i integruar në vetëm një treg pune.

Rëndësia e integrimit të së cilit është që dy vendet të plotësojnë vendet e lira të punës, të cilat kërkojnë kuadro në bazë të nevojave të tregut.

Gjithashtu, me Denaj, u ra dakord që pas arritjes së kësaj marrëveshje, duhet ta realizojnë edhe marrëveshjen për sigurime sociale, që qytetarët mos të humbasin kontributet e tyre dhe të bashkojnë periudhat e kontributeve nga secili vend që kanë punuar.

Në njoftimin e MPM-së thuhet se qytetarët do të përfitojnë nga sigurimet shoqërore duke zgjedhur të jetojnë ku ata dëshirojnë, në Kosovë apo në Shqipëri.

Reçica theksoi se me arritjen e këtyre dy marrëveshjeve Kosova dhe Shqipëria do të jenë gjithnjë më afër Bashkimit Evropian, për faktin se po jetësojnë një pjesë të procesit të Berlinit.