Politika kosovare i ka dhënë një shuplakë të fortë politikës shqiptare një ditë më parë, duke treguar se jo vetëm që di të organizojë zgjedhje më të mira, por edhe të kenë një sjellje dinjitoze të të gjitha palëve të përfshira në garë.
E teksa në Shqipëri dorëheqja e një kryeministri është tabu, Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale. Gjë që nuk është parë në vendin tonë pavarësisht skandaleve që kanë përfshirë ministra, zv/kryeministra, apo edhe dyshime të hedhura mbi vetë kryeministrat.
Edhe fushata mes dy hteteve shqiptare ndryshon si nata me ditën: Në Kosovë ajo u përqendrua tek programi i secilës forcë politike, apo koalicioni.
Ndërsa nëse do të kujtojmë zgjedhjet e fundit në Shqipëri ato të qershorit, ajo çfarë na vjen ndërmend janë akuzat e pafundme politike të palëve drejtuar njëra-tjetrës. Opozitën me protesta nga më të ndryshmet, nga ato të dhunshmet tek bllokimi i rrugëve nacionale. Kulmi arriti me vendimin për djegur mandatet dhe për të mos hyrë në zgjedhje pa dhënë dorëheqje kryeministri Rama, teksa ky i fundit vijonte punën i qetë dhe i pashqetësuar nga këto qëndrime.
Por teksa opozita shqiptare protestonte në rrugë dhe ndoshta e bërë pishman që nuk hyri në zgjedhje, qeveria jo vetëm që vijonte garën me vetveten, por edhe u mburr se arriti të fitojë në 60 Bashki nga 61, duke mos fituar vetëm Finiqin, ku nuk pati kandidatë. Një fitore “plebishitare”, që më shumë se sa një proces zgjedhor të krijonte idenë e një procesi të zhvilluar në diktaturën e largët.
Blerja e votave, një tjetër temë shqetësuese për çdo zgjedhje në Shqipëri, ndodhi edhe në Kosovë, por pati krejtësisht një tjetër përjetim nga palët. Ky proces i kthyer në normalitet gjatë fushatës dhe në një kauzë për padrejtësi nga humbësit e saj në Kosovë u cilësua thjesht si një rast sporadik dhe pa ndikim në zgjedhje.
Problematikat më 30 qershor ishin të pafundme, opozita edhe pse nuk mori pjesë në zgjedhje dhe nuk e njihte procesin si të tillë raportonte pa fund atë të diel për blerje votash, presione ndaj votuesve, apo edhe votimet në grup.
Dyshuese ishin edhe shifrat kontradiktore që raportoi fillimisht KQZ, të cilat nuk përputheshin me realitetin në qendrat e votimit.
Por përpos çdo përplasje politike të drejtë apo të drejtë, morale apo imorale mes palëve në Shqipëri dhe në Kosovë, shteti 12-vjeçar është shumë përpara shtetit mëmë që njeh 107 vite Pavarësi kur vjen puna tek numërimi i votave.
Pa u bërë 12 orë nga përfundimi i procesit të votimit, KQZ në Kosovë raportoi se janë numëruar 90% e votave dhe procesi vijon normalisht edhe pse ka një garë shumë të fortë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, një diferencë që është më pak se 1%.
Nëse do të ishim në Shqipëri, e sigurt që do të fillonte bllokimi i procesit, militantë të shtyrë nga partitë që do të grindeshin para qendrës së numërimit, e pse jo të tentonin të hynin brenda tyre duke e shtyrë procesin për ditë të tëra.
Në zgjedhjet e 30 qershorit në një pjesë të mirë të Bashkive, PS nuk njihet rivalë as sa për numër, por sërish procesi i numërimit zgjati shumë më tepër se sa në Kosovë.
Por pa më të voglin dyshimin më të vogël ajo çfarë të bën përshtypje në këto zgjedhje është sjellja “Evropiane” e vëllezërve tanë, të cilët pavarësisht debateve apo edhe akuave të ndërsjellta para së dielës, jo vetëm që e njohën rezultatin duke iu bindur votës së sovranit, por edhe e përshëndetën njëri-tjetrin për atë çka treguan dhe dhanë në këtë fushatë.
Kryeministri Haradinaj edhe pse nga rezultati duket se do ta humbasë drejtimin e vendit, përshëndeti procesin duke falenderuar të gjithë aktorët politikë për garën.
Fituesi i këtyre zgjedhjeve, Albin Kurti përshëndeti rivalët, e teksa ende pa përfunduar gara ftoi për bashkëpunim partinë e dytë me më shumë vota në këto zgjedhje për të qeverisur së bashku vendin.
Nëse në Shqipëri kërkohen ende zgjedhje të lira dhe të ndershme, apo një “Shqipëri si e gjithë Evropa”, Kosova duket se na ka parakaluar dhe të jetë një vend evropian që di të zhvillojë zgjedhje dhe të pranojë rezultatin e saj, edhe nëse humbet.






































