Shqipëria i kërkon Sllovakisë të njoh shtetin e Kosovës

11.09.2018 19:01:13

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi priti sot në Kryesinë e Kuvendit ambasadorin e Sllovakisë, Milan Ciganik, me rastin e largimit nga Shqipëria.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Kuvendi i Shqipërisë, gjatë takimit Kryetari Ruçi e falënderoi Ambasadorin Cigánik për kontributin e tij në zgjerimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Marrëdhëniet politike të Shqipërisë me Republikën Sllovake janë shumë të mira.

Shprehje e këtij vlerësimi ishte edhe vizita e Kryeministrit të Sllovakisë në Tiranë gjatë mandatit të ambasadorit Ciganik.

Ruçi shprehu vullnetin e Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe intensifikimin e dialogut politik dypalësh.

Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si edhe mbështetjen e Sllovakisë në kuadër të Grupit të Vishegradit.

Gjatë mandatit tuaj, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat.

Duke vlerësuar mbështetjen dhe nxitjen e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Kryetari i Kuvendit Ruçi përsëriti kërkesën që Sllovakia të njohë e Kosovën si shtet Sovran.

Ambasadori Milan Ciganik falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë misionit të tij në Tiranë.