Shqipëri/ Mbledhja e kartave të identitetit, ish-ministri denoncon: Model i Erdoganit!

13.02.2019 13:13:45

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka denoncuar përpjekjet e blerjes së votave, që sipas tij po bëjnë punonjësit e OSHEE-së në fshatra të ndryshme të vendit.

Në një status në profilin e tij në “Facebook”, Manjani tha se shumë qytetarë po i shkruajnë se nëpër zona të ndryshme punonjësit e OSHEE-së janë duke mbledhur kartat e identitit të qytetarëve.

Sipas ish-ministrit, ky është zbatimi i sistemit të patronazhit, një model “alla-Erdogan”, – thotë ai.

“Ky është sistemi i patronazhit elektoral, që Rilindja e mësoi nga modeli i Erdoganit, për kontrollin e votuesve në territor. Çdo punonjës shteti ka detyrë të markojë, ndjekë e bindë një numër të caktuar votuesish të votojnë qeverinë. Kryetarët e punonjësit e bashkive veçanërisht janë të ngarkuar me këto detyra. Ky është fillimi i procesit të blerjes së votave dhe i korrupsionit elektoral”, shkruan Manjani.

Postimi i plotë

Kujdes!

Ka shumë njerëz që më shkruajnë në Inbox, ku raportojnë për mësues e punonjës OSHEE që po mbledhin kartat e identitetit nëpër fshatra.

Ky është sistemi i patronazhit elektoral, që Rilindja e mësoi nga modeli i Erdoganit, për kontrollin e votuesve në territor. Çdo punonjës shteti ka detyrë të markojë, ndjekë e bindë një numër të caktuar votuesish të votojnë qeverinë. Kryetarët e punonjësit e bashkive veçanërisht janë të ngarkuar me këto detyra. Ky është fillimi i proçesit të blerjes së votave dhe i korrupsionit elektoral.

Cilido që jep Kartën e Identitetit apo Pasaportën kuturu, njerëzve që nuk kanë punë me to, duhet të kuptojë se PO SHET VOTËN! Po shet DEMOKRACINË!