Shqipëria mban vendin e parë për këtë vit, 7256 kërkesa zyrtare për azil në Francë

07.09.2017 18:09:24

Pas Holandës, edhe Franca mund të kërkojë rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Por ndryshe nga Amsterdami, që këtë hap e kërkon për të ndalur organizatat kriminale shqiptare që veprojnë kryesisht në trafikun e drogës, për Parisin shkak janë kërkesat e larta për azil që vijnë nga Shqipëria.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme franceze tregojnë se Shqipëria mban vendin e parë të numrit të azilkërkuesve për vitin 2017. Në tabelën e publikuar në të përditshmen “Le Figaro”, nga janari deri në gusht, 7256 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë zyrtare për azil në Francë. Kërkesat janë 178.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2016.

Në vend të dytë renditet Afganistani me 3566 kërkesa, më pak se gjysma e Shqipërisë. Pasojnë Haiti, Sudani dhe Siria. “Për të kontrolluar situatën, Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë të njëjtat klauzola mbrojtëse që kërkoi për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: një rivendosje të vizave në rast të abuzimit me mikpritjen”, shkruan gazeta “Le Figaro”.

Sipas gazetës, të paktën 3 avionë kanë mbërritur nga Franca në Paris këtë verë, me shqiptarë që u është refuzuar kërkesa për azil. Situata është aq shqetësuese saqë Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, organizon çdo javë videokonferenca me prefektët e zonave që kanë probleme me kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët, veçanërisht ata nga pjesa e lindjes së Francës.

Deri tani, Franca ka regjistruar 4911 kërkesa të reja zyrtare për azil, një numër që shkon në 7256 duke shtuar edhe minorenët që i shoqërojnë azilkërkuesit. Numri është dukshëm më i lartë se ai i azilkërkuesve sirianë që vijnë nga një vend në luftë.