Shqipëria nuk është as si Maqedonia, përse rezultati shpallet brenda për dy orëve

16.07.2020 14:21:15

Një vend i vogël, më i vogël se Shqipëria, problematik se përbëhet nga disa etni, i polarizuar politikisht sa edhe ne, e megjithatë në Maqedoninë e Veriut rezultati i Zgjedhjeve parlamentare doli pas dy orësh nga mbyllja e votimeve.

Një gjë që në Shqipëri s’ka qenë kurrë e mundur, na janë dashur javë e gati edhe një muaj për të dalë rezultati përfundimtar.

Po kush është çelësi i kësaj situate që për ne duket e pamundur edhe pse kemi kaluar 30 vjet post komunizëm dhe kemi ndryshuar disa herë Kodin Zgjedhor.

Pikërisht çelësi qëndron në dy aspekte kryesore: e para numërimi i votave nuk bëhet në qendra të grumbulluara si tek ne, ku në një palestër shkolle grumbullohen më shumë se 1 mijë kuti, që në vetvete përbëjnë një qendër votimi, por numërimi bëhet në çdo qendër votimi, që në Maqedoninë e Veriut e quajnë Vendvotim.

E dyta dhe gjithashtu shumë e rëndësishme, është se në Maqedoni Komisionet Zgjedhore janë në shumicën e tyre të depolitizuara.

Në Maqedoni ka tre shkallë komisionesh: Komisioni Shtetëror Zgjedhor, Komisionet Komunale dhe këshillat zgjedhorë që veprojnë në vendnumërimet.

Tek dy të parat, si kryetarët ashtu edhe anëtarët zgjidhen nga administrate lokale shtetërore, njerëz që kanë statusin e nëpunësit civil dhe natyrisht arsimin e lartë.

Në Këshillin Zgjedhor, pra në vendvotim, kryetari dhe sekretari zgjidhen nga administrate publike, kurse anëtarët zgjidhen nga 4 parti që kanë numrin më të madh në zgjedhjet e fundit, ndarë 2 me 2 pozitë -opozitë.

Kjo logjikë nuk se ka ndodhur sot, por që në fillim të pavarësisë së Maqedonisë që u shpall në 1992, pra vetë 28 vjet shtet.