Shqipëri:Përmbytjet, Fatmir Xhafaj në Novoselë: Kjo është fytyra e vërtetë e shtetit

03.12.2017 11:19:07

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka falënderuar forcat operacioneve në të gjithë vendin, të cilët kanë përballuar më së miri situatën e përmbytjeve.

Nga Ura e Mifolit në Novoselë të Vlorës, Xhafaj tha se policia është në shërbim të njerëzve, duke theksuar se është pikërisht kjo fytyra e vërtetë e shtetit.

“Erdha të përgëzoj forcat operacionale dhe ato të Policisë së Vlorës për ndihmën e dhënë. Kemi 3 ditë në shërbim të përforcuar, kemi 2.200 forca në terren që janë përfshirë në këtë operacion dhe 400 mjete që janë në gatishmëri, – u shpreh Xhafaj. – Forcat e policisë kanë një meritë të veçantë, pasi kanë bërë të mundur që të përballohet kjo situatë. Koordinimi i mirë i këtyre njësive ka dhënë këtë efekt. Kjo është realisht fytyra e shtetit, e policisë, kjo është realisht policia që duam”.

Sipas ministrit, e rëndësishme ka qenë që nuk janë humbur jetë njerëzore dhe pasi të ketë kaluar kjo fazë e parë, do të nisë përllogaritja e dëmeve.

“Ka pasur rrezik për jetë njerëzore dhe është dashur të ndërhyjnë forcat operacione duke sakrifikuar jetën e tyre. Mesazhi im në këto momente është që ne jemi në shërbim të njerëzve”.