Shqiptarët dhe integrimi evropian

05.03.2019 21:33:35

Nga profesor Agim Vinca

 Dy nga ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasa dhe Sami Frashëri, në një memorandum drejtuar ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë në vitin 1878, shkruanin: “Shqiptarët kërkojnë të drejtën e tyre të hyjnë në gjirin e familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës ata janë”.

Kanë kaluar plot 141 vjet nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar: janë ndërruar sisteme e ideologji,  janë bërë dy luftëra botërore dhe sa e sa luftëra lokale e revolucione, kanë rënë perandori të mëdha dhe janë krijuar shtete të reja, kanë ndryshuar rendet botërore dhe koalicionet politike e ushtarake, por fjalët e mësipërme:  (Shqiptarët kërkojnë të drejtën e tyre të hyjnë në gjirin e familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës janë) tingëllojnë po aq aktuale sa në kohën kur janë shkruar, në mos më shumë, sepse shqiptarët si komb vazhdojnë të kërkojnë edhe sot të drejtën e tyre për t’u bërë pjesë e “familjes evropiane”.

Shqiptarët u joshën nga “Ideja Evropiane” qysh në kohën kur ende nuk kishin shtet, por kishin gjuhë, kulturë, traditë, histori dhe identitet. Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte një lëvizje politike dhe kulturore me orientim plotësisht evropian, properëndimor.

Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, edhe pse jetonte e krijonte në Stamboll, shkruante: “Jak’, o ditë e uruar,/ që lind nga perëndon”. Për Naimin dielli lind nga perëndon! Kjo nuk është veç një figurë stilistike, paradoks a oksimoron, por edhe botëkuptim dhe vizion.

I vëllai, Samiu, te vepra e tij kapitale, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?, pasi parashihte fundin e “të sëmurës së Bosforit”, si e quante Perandorinë Osmane, kërkonte krijimin e një Shqipërie “të mosvarme”, të organizuar sipas modelit të shteteve të zhvilluara evropiane.

Pashko Vasa para tij, në veprën E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, të shkruar frëngjisht dhe të botuar në Paris në vitin 1879, duke parandjerë rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare dhe të mbetjes nën fqinjët sllavë, shkonte aq larg sa pohonte: “Po […] të duhet të zgjidhnin mes nënshtrimit para një shteti të vogël sllav (aluzion te Serbia dhe Mali i Zi – A. V.) dhe aneksimit me një shtet të madh evropian [shqiptarët], pa u hamendur do të shpallnin veten njëzërit en faveur të alternativës së fundit”.

“Bijtë e shqipes”, siç i quante Bajroni shqiptarët, i besonin Evropës, por pritjet e tyre ishin joreale, për të mos thënë edhe utopike. Fjala utopi vjen nga fjala greke topos (vend), kurse Evropa në teorinë e toposeve të studiuesit gjerman Erns Robert Kurcius, autorit të librit tashmë klasik Letërsia evropiane dhe mesjeta latine, radhitet në llojin e toposeve qytetëruese (historike).

“A ekziston Evropa?” – shtron pyetjen sociologu dhe filozofi francez Edgar Moren. A mund të mendohet, të hahet, të udhëtohet, me një fjalë të jetohet në mënyrë evropiane? Ku fillojnë kufijtë e saj: në Romë, në Ballkan apo në Skandinavi? Evropa është nocion gjeografik pa kufij me Azinë, por nocion historik me kufij në ndryshueshmëri… Uniteti në diversitet është tipar qenësor i identitetit të saj, identitetit evropian – thotë Edgar Moreni në veprën e tij Si ta mendosh Evropën.

Thuhet se idenë e një utopie evropiane, fillimisht fetare e më pas laike, e krijuan njerëzit e dijes dhe të artit: Shekspiri, Dante, Servantesi, Gëte, Erazmi i Roterdamit, që jetonte mes Holandës, Anglisë, Francës dhe Italisë, pastaj Didëroi, Rusoi, Paskali, Montenji, Niçe, Marksi, Frojdi, Kroçe, Unamuno, Gaseti, Elioti e të tjerë.

Ky i fundit, në një nga esetë e tij të famshme, e thotë shkoqur se në themel të qytetërimit modern evropian qëndrojnë: mitologjia antike greke, Bibla dhe idetë e Revolucionit Borgjez Francez, moto e të cilit ishin fjalët: Liri, Barazi, Vëllazëri.

Tek ne shqiptarët kultin e Evropës, mitin e saj, e krijuan poetët dhe ideologët e Rilindjes Kombëtare: De Rada, Naimi, Serembe, Kamarda, Elena Gjika, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Konica, Noli, Gurakuqi dhe një varg krijuesish të tjerë të shekullit XIX-XX, deri te Branko Merxhani me shokë në vitet ’30, dishepuj të “neoshqiptarizmës”.

Të dhënat e mësipërme flasin qartë për përkushtimin e shqiptarëve ndaj qytetërimit evropian dhe aspiratën e tyre për t’u bërë pjesë e familjes së popujve të Evropës, dje dhe sot.

Nëntëdhjetë e pesë për qind e shqiptarëve (sipas sondazheve) janë pro hyrjes në Evropë. Sepse shqiptarët, ndryshe nga serbët, fjala vjen, të cilët një sy e kanë nga Brukseli, kurse tjetrin nga Kremlini, s’kanë alternativë tjetër. “Neootomanizmi” i zotit Davutoglu (ish-ministrit të jashtëm turk) nuk është për ne, edhe pse autori i kësaj doktrine ne shqiptarët (myslimanë) dhe boshnjakët na quan “mbetje osmane” në Ballkan.[1]

Vërtet kemi qenë pesë shekuj nën robërinë otomane, që na ka lënë mjaft vese e zakone, “mbetje turke”, por karakteri në thelb evropian i kulturës dhe qytetërimit shqiptar ka mbetur i paprekur. Gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, kurse alfabet i saj alfabeti latin. Shikuar nga ky aspekt Kongresi i Manastirit i vitit 1908 qe një rikonfirmim i orientimit perëndimor të inteligjencies shqiptare dhe i lidhjeve të saj me kulturën evropiane.

Ç’kuptojmë me nocionin “kulturë evropiane”?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje do t’i referohemi europianistit të madh Denis de Rugemont (1906-1985), i cili kulturën evropiane e përkufizonte si vijon: “Kultura evropiane, me gjithë mëkatet e shumta që i rëndojnë në ndërgjegje, është kulturë e pluralizmit, kompromisit, dialogut dhe kundërshtimit, ironisë dhe humorit […]. Më shkoqur akoma, kultura evropiane është kulturë e lirisë; “e vetmja liri e qenësishme për mua – do të thotë çdo europian i vërtetë – është liria e vetërealizimit; liria e kërkimit, gjetjes dhe përjetimit të së vërtetës sime, jo të vërtetës së të tjerëve, as edhe asaj të përcaktuar dhe servirur nga shtetet dhe partitë. Në qoftë se do të humbisja këtë liri themelore, jeta ime do të kishte humbur kuptimin” – shkruan ky shkrimtar dhe filozof zviceran, autor i shumë librave për problemin evropian, i cili në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si shumë intelektualë të tjerë antifashistë, u largua nga Evropa në Amerikë, ku qëndroi 5-6 vjet.

Të gjitha këto tipare dhe në mënyrë të veçantë idenë e dialogut, të kundërshtimit, ironisë dhe humorit i gjejmë edhe në letërsinë dhe kulturën shqiptare, veçanërisht te autorët më të shquar modernë të saj si Noli, Konica, Migjeni e të tjerë.

I njëjti autor, Deni dë Ruzhëmon, flet për rrezikun që i kanoset Evropës nga “vala e re e shovinizmave fanatikë etnikë” dhe nga “materializmi primitiv” ose “kulti i fitmit”.  Këto mendime, të shprehura shumë kohë më parë, janë tejet aktuale sot, kur në Evropë po ringjallen ekstremizmat e ndryshëm: populizmi, ksenofobia, antisemitizmi etj.[2]

Në të gjitha lëvizjet tona për liri e demokraci, Evropa është shenjë identifikuese.

Në dhjetor të vitit 1990, studentët e Universitetit të Tiranës u ngritën kundër regjimit diktatorial me parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Në atë kohë kjo parullë kishte kuptimin: “Duam një Shqipëri demokratike, pluraliste, të lirë e të zhvilluar, e jo diktaturë!”. Diktatura ra, Enveri gjithashtu, Shqipëria kaloi nga monizmi në pluralizëm, por Europë nuk u bë as atëherë e as sot.

Njëzet e tetë vjet më vonë, në protestat e studentëve shqiptarë në fund të vitit që lamë pas (2018), tani në kushte e rrethana të reja politiko-shoqërore, u dëgjua përsëri thirrja: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. As pesimistët më të mëdhenj nuk kanë mundur ta marrin me mend në vitin 1990 se edhe pas më se një çerek shekulli njerëzit do të dilnin në rrugë me të njëjtat kërkesa dhe do të brohoritnin të njëjtat parulla, thua se ora shqiptare ka mbetur në vend dhe s’ka lëvizur fare!

Si për ironi, derisa kolegët e tyre të Tiranës protestonin kundër tarifave të larta të studimit dhe cilësisë së ulët të arsimit, duke shtruar kërkesa të qarta para qeverisë, një grup studentësh në Prishtinë protestonin për vizat para zyrës së OSBE-së, por jo edhe kundër qeverisë mashtruese, që këto viza ua ka premtuar qysh në vitin 2010!

Me e pa viza shqiptarët po ikin, po e braktisin atdheun, të ndjekur nga korrupsioni, papunësia, varfëria, pasiguria, por edhe nga mendësia: “Ubi bene, ibi patria”!

Publicisti polak, Adam Mihnik, i njohur për disidencën e tij në kohën e komunizmit, duke folur për Poloninë, para se ajo të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian (2004), thoshte se Polonia nuk mund të prosperojë e as të inkuadrohet në organizmat ndërkombëtarë përderisa të jetë vend i skandaleve politike e ekonomike dhe i grindjeve të pareshtura mes pozitës e opozitës, ku njëra palë tenton ta zhdukë tjetrën.

Këto fjalë e ilustrojnë në mënyrë perfekte situatën në Shqipëri dhe jo vetëm tani, këto ditë, kur është vënë, për të satën herë, përballë sfidash të rrezikshme, por gjatë gjithë periudhës postkomuniste, që në mënyrë komode e quajmë tranzicion. Dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, por edhe Maqedonia, ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, janë vende ku për çdo ditë ndodhin skandale politike e ekonomike, kurse lufta për pushtet nuk njeh “armëpushim”.

A jemi sot ku kemi qenë tridhjetë vjet më parë dhe a sillemi në vend duke pritur të ndodhë mrekullia e pranimit në Bashkimin Evropian për të na i zgjidhur të gjitha problemet si me shkop magjik?

Para se të hyjmë në Evropë ne duhet të bëhemi Evropë, të sillemi si evropianë, t’i përvetësojmë vlerat evropiane, duke i bërë ato pjesë të jetës sonë të përditshme.

Por ç’ndodh?

Njerëzit që janë në krye të institucioneve tona shtetërore flasin shumë për integrimin. Gojën e kanë përplot integrim evropian. Nuk do të ishte keq të flisnin më pak për integrim dhe më shumë për zhvillim. Dhe jo vetëm të flisnin, por edhe të punonin për zhvillimin ekonomik, shoqëror, politik, arsimor dhe shkencor të vendit, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Shqipëria dhe Kosova importojnë prodhime bujqësore. Vetëm 20% e tokës punohet. Nuk e di si qëndron puna në Shqipëri, por Kosova nuk i plotëson nevojat e veta me mish, fjala vjen. Përse? Si ka mundësi që Kosova, me kushtet që ka (fushë, bjeshkë, ujë, klimë), nuk i plotëson nevojat e konsumatorëve të saj me këtë produkt ushqimor? Nëse nuk mund të prodhojmë tanke dhe kompjuterë mund të rrisim lopë e viça! Kosova do të duhej të eksportonte e jo të importonte qumësht dhe mish, sikundër edhe grurë. Me një politikë më të drejtë agrare, por edhe me një ndryshim të mendësisë së popullatës, kjo do të mund të ndodhte fare lehtë dhe, për të bërë pak humor, edhe duke lexuar e rilexuar Bagëti e Bujqësinë.

Qeveritë tona janë herë-herë qesharake dhe butaforike. Ku ka qeveri në botë me 80 zëvendësministra si qeveria e Kosovës? Kështu ndodh kur interesi partiak vihet mbi interesin shtetëror. Qeveritarët tanë jetojnë në luks; populli në mjerim. A mund të shkohet në BE me këtë papunësi, varfëri, korrupsion dhe krim; me këtë shëndetësi dhe me këtë arsim? Do të ishte mirë që pushtetarët tanë më shumë se me integrimin të preokupoheshin me shtetndërtimin. Retorika: BE, BE është alibi për dështimin. (Më lejoni të theksoj në parantezë se Zvicra dhe Norvegjia, dy nga vendet me standard më të lartë në Evropë dhe në botë, nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, shembulli i Greqisë tregon se mund të jesh shtet anëtar i BE-së dhe të vijsh në prag të falimentimit për shkak të keqqeversijes dhe keqmenaxhimit).

Nga ana tjetër, ndërsa ne flasim për integrimet e mëdha dhe globalizmin si proces botëror, në skenë kanë dalë tendenca çintegruese. Në emër të lirisë së mendimit dhe rivlerësimit të së kaluarës dëgjohen lloj-lloj tezash e teorish: jo Skënderbeu s’është hero nacional; jo po lind një komb i ri: kombi kosovar dhe marrëzi të tjera të ngjashme! Kosova ka identitetin e vet politik dhe shtetëror, por jo edhe etnik dhe kulturor. Nuk mund të anashkalohet as kontestimi i shqipes standarde dhe shmangia e saj nga jeta publike, me pretekstin se Kongresi i Drejtshkrimit është mbajtur në kohën e diktaturës dhe se shqipja e njësuar qenka e vështirë për kosovarët! Tendencat e tilla, s’do mend, bien ndesh me filozofinë e integrimit dhe janë të dëmshme për kohezionin shpirtëror të kombit.

Ja edhe një anomali nga jeta akademike. Në vend që t’i bashkojmë forcat për hartimin e enciklopedisë shqiptare, që s’e kemi (të vetmit në Ballkan), ashtu siç nuk kemi as histori të letërsisë, ne e fragmentojmë kulturën tonë dhe harxhojmë energji për projekte “shkencore” konform ndarjeve politike: Akademia e Shkencave e Shqipërisë harton FESH-in në tre vëllime (me mjaft lëshime), kurse ASHAK-u në Prishtinë Fjalorin enciklopedik të Kosovës, me shkarje edhe më të mëdha. Duke parë vëllezërit më të mëdhenj, edhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë (ITKSH) i ka lindur dëshira të bëjë një fjalor të tillë. Bën si bën xhaxha ustai! Vendimi tashmë është marrë dhe koordinatori i projektit më është drejtuar edhe mua për bashkëpunim, por unë kam refuzuar të bëhem pjesë e një projekti të tillë, pa u diskutuar më parë koncepti dhe qëllimi i tij.

Kur flitet për integrimin evropian nuk mund të mos preket edhe një problem: çështja e fesë. Shqiptarët janë komb i vogël me tri fe, që i karakterizon bashkëjetesa dhe harmonia fetare. Gjatë historisë ata nuk kanë bërë kurrë luftëra fetare, siç ka ndodhur me të tjerët. Nga ky aspekt, mund të thuhet se Evropa ka ç’të mësojë nga shqiptarët. Thirrjet për rikrishterim, për kthim “në fenë e të parëve”, si kusht për të hyrë në Europë, pavarësisht se nga vijnë, janë të paqëndrueshme. Thelbi i identitetit evropian qëndron te diversiteti kulturor, prandaj nuk ka nevojë që shqiptarët të konvertohen për t’u bërë europianë. Shqiptarët duhet dhe do të hyjnë në Evropë jo duke bërë shartime artificiale, por duke e ngritur vetëdijen dhe kulturën e tyre politike dhe shtetërore.

Kemi shumë arsye të jemi të pakënaqur me politikën shqiptare dhe me politikanët tanë, në të dy anët e kufirit. Politikanët tanë të sotëm, me ndonjë përjashtim, janë si personazhet e Stendalit të kohës së Restaurimit, që “shkëmbyen këmishën e fshatarit me frakun e borgjezit”; janë kapardisës që teoretizojnë edhe kur mezi lexojnë; janë lakmitarë dhe njerëz pa moral, që rendin pas parasë, sepse me para mund të blihet gjithçka: posti, titulli, suksesi, mandati i deputetit. Çdo gjë blihet dhe shitet dhe gjithkush është “i shitshëm” – princi dhe jakobini, politikani dhe bankieri, avokati dhe gazetari, burri dhe gruaja.

Kështu shkruante shkrimtari gjenial, Anri-Bejl Stendal, që në kohën e tij nuk ishte çmuar shumë nga kritika letrare, madje një pjesë e saj edhe i kishte përbuzur veprat e tij, por që koha i dha të drejtë për shumëçka dhe në mënyrë të veçantë për kritikën që i bënte shoqërisë së kohës, duke vënë idealistët e zhgënjyer përballë pushtetarëve dhe oligarkëve të zhlyer.

Sa shumë ngjashmëri kanë personazhet e tij me “heronjtë” e kohës sonë, që është “kohë e maskarenjve”, siç do të thoshte poeti Ali Asllani, i cili, ndonëse lirik i dashurisë, nuk mund të mos hakërrehej kundër atyre që “të pabrekë i gjeti dreka, milionerë i gjeti darka”.

Shoqëria shqiptare është në krizë: krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë institucionale, por problemi më i madh i shoqërisë shqiptare sot, për mendimin tim, është kriza shpirtërore dhe morale.

Vdekja në shpirt, thoshte Sartri, është vdekja më e keqe, ndërsa ringritja morale e një shoqërie dhe e shtyllave të saj identitare, është detyrë e elitës intelektuale.

(Fjalë e mbajtur në forumin publik me temë “Evropa në realitetet e sotme”, organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, në Tiranë, më 27 shkurt 2019)

[1] Ahmet Davutoglu, Thellësia strategjike, pozicioni ndërkombëtar i Turqisë, Logos A, Shkup 2001. Autori i këtij libri, popullsitë myslimane në Ballkan i quan “mbetje osmane”, ndërsa si elemente kryesore të kësaj “mbetjeje osmane”, sipas tij, qenkëshin boshnjakët dhe shqiptarët. Kjo teori nuk është pa ndikim te një pjesë e popullatës shqiptare, por ndikimi i saj është margjinal.

[2] Sa i përket islamofobisë mund të thuhet se ajo është e nxitur kryesisht nga aktet terroriste të grupeve dhe individëve që e keqpërdorin islamin për qëllime politike, problem që paraqet një shqetësim real për tërë botën dhe në radhë të parë për Evropën dhe Amerikën.