Shqiptarët në krye të listës për azil edhe në muajin gusht, të dytët pas refugjatëve sirianë

11.10.2016 12:16:41

 

Fluksi i azilkërkuesve nga Shqipëria në Gjermani nuk u ndal as në Gusht, pavarësisht forcimit të masave nga qeveria Merkel dhe thirrjeve të vazhdueshme të autoriteteve shqiptare. Sërish shqiptarët u renditën të dytët pas sirianëve me 8306 kërkesa, rreth 700 më shumë se në korrik. Por në dallim nga Korriku, Gushti shënoi rënie të ritmit të rritjes së kërkesave për azil, pasi në Korrik pati 1700 kërkesa më shumë se muaji pararendës, Qershor. Por ajo që mbetet shqetësuese është se shqiptarët renditen të parët nga Ballkani Perëndimor dhe të vetmit, prej nga rritja vijon me ritme të mëdha.

Vendet e tjera kanë ulur ndjeshëm fluksin. 2479 kërkesa u regjistruan nga Serbia dhe 1470 nga Maqedonia. Ndërsa fluksi nga Kosova ka rënë në kuota minimale në vetëm 781 kërkesa për Gushtin, nga 1395 për Qershorin. Për periudhën Janar – Gusht, shqiptarët renditen sërisht të dytët pas sirianëve për numrin e aplikimeve për azil. Ata kanë bërë mbi 38 mijë kërkesa, duke lënë pas edhe kosovarët, që mbanin vendin e dytë deri në Korrik. Fluksi i shqiptarëve vijon të jetë i lartë pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të autoriteteve gjermane dhe atyre shqiptare, se shtetasve nga Ballkani Perëndimor nuk u jepet azil politik. Pjesa dërrmuese e azilantëve nga rajoni kanë motive ekonomike. Të dielën e kaluar, qeveria gjermane shpalli nisjen e procedurave për t’i shpallur vende të sigurta origjine, një hap që do t’a ndërmarrë shumë shpejt edhe Komisioni Europian. Për muajin Gusht, mbi 36 mijë kërkesa për azil u regjistruan në total në Gjermani, duke e çuar këtë shifër në mbi 231 mijë prej fillimit të vitit.