Shtëpia e Bardhë ndalon ish-këshilltarin Bannon të dëshmojë

17.01.2018 20:46:33

Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të ligjvënësve që po hetojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Avokati i tij tha se arsyeja ishte një udhëzim i Shtëpisë së Bardhë që të mos fliste për këtë çështje. Ky zhvillim erdhi mes njoftimeve se Bannon është thirrur për të dëshmuar edhe nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller.

Bannon ishte për orë të tëra të martën përballë Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin.

Bannon ishte për orë të tëra të martën përballë Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin.

“Në thelb ky ishte një urdhër nga Shtëpia e Bardhë për të mos lejuar këtë dëshmitar që t’i përgjigjej pothuajse asnjë pyetjeje për periudhën kur ai ishte në ekipin e tranzicionit, ose pjesë e administratës dhe madje dhe shumë pyetjeve për periudhën pasi la administratën”, tha kongresmeni demokrat Adam Schiff.

“Qëndrimi i avokatit të Bannon ishte se ai donte t’u përgjigjej pyetjeve, por ishte udhëzuar nga Shtëpia e Bardhë që të mos ta bënte një gjë të tillë”.

Sekretarja a shtypit e Shtëpisë së Bardhë u përpoq ta hidhte poshtë pretendimin e kongresmenit, duke thënë se “askush nuk e ka nxitur atë të bëjë gjë tjetër, përveçse të jetë transparent”.

Schiff tha se parashikon që Bannon të dalë përsëri para komisionit. Ky zhvillim shtron pyetje për përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të kontrolluar atë që ish-këshilltari i lartë i thotë Kongresit për kohën kur punonte në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë gazeta “The New York Times” njoftoi se prokurori i posaçëm Robert Mueller i ka dërguar zotit Bannon javën e kaluar një thirrje për të dëshmuar para një jurie të madhe, që po heton kontaktet e fushatës së Trump me Rusinë.

Zoti Bannon ka vazhduar të shprehë mbështetjen për Presidentin Trump, por duket se ka humbur besimin e tij, pasi ishte cituar në librin e ri “Zjarr dhe Furi” të thoshte se kishte qenë një “tradhëti” dhe “jopatriotike” nga ana e djalit të madh të Trump, Donald Trump Jr. dhe të tjerë në kampin e tij, që të takoheshin me një juriste ruse në mes të fushatës, në një përpjekje për të siguruar prova “inkriminuese” kundër kandidates demokrate Hillary Clinton.