Si të kuptohet thirrja e Kadri Veselit për një ekip të përbashkët të liderëve politikë?

23.04.2018 16:22:56

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli, së fundmi ka dalë me një ide që të formohet një ekip i liderëve politikë, e ku do të kishte edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në shkim të parë, ky do të ishte një ekip i ngjashëm me ekipin negociator në Rambuje, apo edhe në Vjenë, pasi që të dy ekipet ishin të përbërë nga liderë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, por në realitet nuk ka të bëjë fare me ekip uniteti apo diçka të ngjashme.

Arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin se ekipi në Rambuje ishte ekip i përfaqësuesve institucionalë të Kosovës, por që nuk njiheshin ndërkombëtarisht, dhe i përfaqësesve të subjketeve të caktuara politiko-ushtarake. Vetë presidenti Rugova kishte bërë të qartë se përgjegjësia e negociatave në Rambuje nuk mund të ishte edhe ekzkluzivisht e institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe e të tjerëve. Ekipi negociator në Vjenë, që u quajt ekip i unitetit, po ashtu, ishte ekip që përfshinte institucionet e Kosovës (pozitë – opozitë) dhe përfaqësues të shoqërisë civile, sepse bëhej fjalë për pozitën ndërkombëtare të këtyre institucioneve që nuk ishin institucione të shtetit të pavarur.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me temën kryesore të negociatave në Rambuje, përkatësisht në Vjenë, e që ishin negociata për t’i dhënë fund luftës dhe për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për funksionimin e Kosovës, përkatësisht ishin negociata për statusin e Kosovës.

Arsyeja e tretë ka të bëjë me faktin se tashmë është e përcaktuar edhe me ligje çështja e trajtimit dhe e zgjidhjes së çështjeve të ndryshme, përfshirë edhe ato që dalin nga negociatat e Brukselit. Siç dihet, Marrëveshja e 19 prillit 2013, e kthyer në ligj, qartësisht obligon qeverinë të merret me zbatimin e saj, kurse institucionet tjera janë vetëm përplotësuese, siç është Kuvendi, Presidenca apo edhe Gjykata Kushtetuese.

Sigurisht ka edhe arsye të tjera se përse dallimet janë substanciale dhe nuk ka nevojë për ndonjë ekip uniteti të liderëve politikë. Në fakt, kjo ide e Kadri Veselit, nuk ka as bazë kushtetuese, e as ligjore krijimi i një ekipi të tillë, i cili në strukurë dhe në thelb do të ishte një institucion parapolitik, parashtetëror dhe zyrtarizimi i mendësisë tribale, sipas të cilës nuk do të ishin institucionet kushtetuese që do të zgjidhnin çështjet, por këtë do t’ia impononin disa individë që veten e quajnë liderë politikë, madje edhe disa nga e ashtuquajtura shoqëri civile.

Dhe nëse afërsisht do të dihej se kush do të mund të ishin liderët politikë, do të ishte shumë interesante se kush do të ishin përfaqësues të shoqërisë civile dhe në bazë cilave kritere do të bëhej përzgjedhja e tyre. A do të ishin aty: Veton Surroi, Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe do produkte të tjera medietike të korpusit medietik kundër LDK? A nuk do të ishte kjo një formë e kapjes totale të politikëbërjes në Kosovë nga ana e Kadri Veselit?

Synimi i Kadri Veselit për ta imponuar veten si liderin kryesor në Kosovë, e që është vënë re që në fillim dhe që ishte një nga arsyet se përse ishte rrëzuar qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa, duket se vazhdon të jetë një nga arsyet e shpërfaqjes së një ideje të tillë.

Mirëpo, kjo ide e Kadri Veselit ka përballë një platformë për çështjen e negociatave në Bruksel, e ku parashikohet një rol i fuqishëm i Hashim Thaçit, dhe ka një platformë të LDK-së, e cila fton partitë që të bien dakord për çështjet e mëdha që do të zgjidheshin nga institucionet brenda një periudhe të caktuar në fund të të cilës do të mbahesin zgjedhjet e parakohshme.

Natyrisht se nuk dua ta besoj se kjo ide e Kadri Veselit ka për qëllim të pengojë rolin e fuqishëm të Hashim Thaçit në negociatat e Brukselit, por më shumë ka të bëjë me kontrollin e plotë të të gjitha zhvillimeve nga këta dy.

Në aspektin formal, Kadri Veseli nuk do të duhej të ishte personi që do të propozonte ide të tilla, pasi që partia e tij nuk është partia më e madhe, por është partia e dytë, pas LDK-së. Së këndejmi, kjo ide mund të kuptohet edhe si kundërvënie platformës së LDK-së për një pajtueshmëri politike për tema të mëdha me kusht që pas një kohe të caktuar të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Gjithsesi në bazë të zhvillimeve të gjertanishme, proceset e brendshme në parti të ndryshme, veprimtaria e veglave kondomë dhe çarjet në parti të ndryshme, lënë të hapura të gjitha mundësitë, pra që të edhe kjo ide të jetë një trik i radhës i Kadri Veselit, në përpjekje për të marrë kohë për diversione brenda partive të ndryshme politike, pra edhe në LDK.