Si të (mirë)kuptohet gatishmëria e Vjosa Osmanit për të shkuar në Serbi?

08.05.2018 19:13:24

Nga Rexhep Kastrati

Kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut të saj nga Serbia, Nenad Çanak për të marrë pjesë në një takim ndërparlamentar në Beograd, dhe gjithsesi është një pranim ftese që ka nevojë për një shqyrtim.

Në fakt, vetë ftesa është një zhvillim që ka provokuar politikën në Serbi, por është edhe një sfidë për politikën në Kosovë, pasi që bëhet fjalë për një ftesë që vjen nga Serbia, e cila nuk ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe këtë të fundit e konsideron pjesë të saj, kurse Kosova ende nuk ka marr një ndjesë nga Serbia për krimet gjenocidale që janë kryer ndaj shqiptarëve.

Ftesa e ardhur nga Nenad Çanak, ndërkaq, mund të kuptohet si një veprim personal i tij duke marrë parasysh qëndrimin e tij ndaj Kosovës, por edhe profilin e tij politik që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit të kaluar, por nuk mund të përjashtohet edhe mundësia që Serbia të provojë të taktizojë edhe në kontekst të procesit të anëtarësimit të saj në BE, në kontekst të forcimit të pozitës së saj në fazën përmbyllëse të negociatave në Bruksel, por edhe të shënojë një fazë hapëse ndaj Kosovës.

Në këtë kontekst, këtë ftesë duhet parë si një zhvillim pozitiv dhe sfidues për Kosovën, e cila ka nevojë, po ashtu, për të dhënë dëshmi se është e gatshme për t’u hapur ndaj Serbisë dhe për të kontribuar për shtendosjen e tensioneve që qëndrojnë mbi rajonin tonë.

Edhe pse reagimet nga Serbia janë të fuqishme në kuptimin e mohimit dhe të kundërshtimit të ftesës që i është bërë Komisonit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, megjithatë, është në duart e presidentit të Serbisë, Vuçiq që të mbajë qëndrim dhe të ndikojë në zhvillimet e mëtejme rreth kësaj ftese.

Në anën tjetër, Kosova është përballë një sfide që nuk është e lehtë për t’u pranuar dhe përballuar, pasi që edhe 19 vjet pas krimeve gjenocidale të Serbisë mbi Kosovën, ende Beogradi nuk ka kërkuar falje dhe as që ka pranuar përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, ende ka mbi 1600 persona të zhdukur nga koha e luftës, Serbia vazhdon të ndjekë një politikë obstruksioniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, si dhe ende nuk njeh pavarësinë e saj.

Me fjalë të tjera, shkuarja e një delegacioni të Kosovës në Serbi në këto rrethana do të ishte mjaft i vështirë dhe mjaft sfidues për qytetarët e saj.

Megjithatë, refuzimi i një ftese të këtillë, nuk do të mund të ishte vendimi më i mirë i mundshëm, për të mos thënë edhe një gabim diplomatik që do të mund të përdorej keq nga Beogradi për të vështirësuar më tej pozitën e Kosovës në negociatat në Bruksel, por edhe pozitën e gjithëmbarshme të saj në arenën ndërkombëtare.

Refuzimin eventual të ftesës, Beogradi do ta interpretonte si mungesë vullneti të Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet, si dhe mosgatishmëri për të kontribuar për komunikimin ndërparlamentar rajonal dhe më gjerë.

Refuzimi eventual i ftesës, po ashtu, do ta lehtësonte dhe do ta shtendoste politikën serbe, në kuptimin se nuk do të kishte nevojë që të ndërmerrte veprime bllokuese ndaj mundësisë së pjesëmarrjes së delegacionit të Kosovës në takimin ndërparlamnetar që do të mbahet në Serbi.

Në këtë mënyrë, tash topi është në Beograd, i cili do të ballafaqohet me një debat të brendshëm pro dhe kundër pjesëmarrjes së Kosovës në atë takim, por edhe detyrimin e institucioneve të Serbisë, në këtë rast, Kuvendit të saj që të anulonte ftesën që Nenad Çanak i ka bërë Komitetit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Anulimi i ftesës, do të duhej ta vinte në siklet Serbinë si në negociata në Bruksel, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare në përgjithësi, sepse do të ishte një dëshmi e mosemancipimit politik të saj, dëshmi e fuqisë së forcave ultranacionaliste serbe në politikën serbe, si dhe mungesë e vullnetit të saj për të adoptuar thelbësisht politika proevropiane dhe properëndimore në përgjithësi.