Siguria ushqimore: Testi që do të duhet të kalohet

26.11.2016 19:09:20

Me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, një nga kapitujt që do të duhet të negociohet është edhe siguria ushqimore. Ekspertët thonë se kjo është një çështje e rëndësishme, pasi mund të çojë deri në mbylljen e aktiviteteve. Për qeverinë, qëllimi është sigurimi i monitorimit të plotë të zinxhirit nga ferma në tavolinë

Siguria ushqimore është një nga barrierat më të mëdha tregtare për eksportet shqiptare. Nëse ajo do të arrihet të pranohet nga BE-ja, atëherë janë të gjitha shanset për të diversifikuar dhe për të rritur eksportet, si dhe do të ndihmonte ekonominë të orientohej nga përpunimi.
Për këtë, qeveria shqiptare është duke u asistuar nga institucionet e BE-së me fonde. Gjatë inspektimit në Durrës, për projektin e sigurimit të qëndrueshëm dhe funksionimin e zyrave rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, tha se konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi që të njohin historikun e produkteve shqiptare përmes bar-kodit.
Projekti ka filluar të zbatohet dhe do të bëhet e mundur që si për produktet shtazore dhe bimore të merren informacione mbi origjinën, historinë, në mënyrë që konsumatori të njohë produktet që blen.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres në sigurinë ushqimore, por ka ende shumë detyra që mbeten për t’u përmbushur. Me hapjen e negociatave, përmbushja e kapitullit 12 që mbulon fushën e veterinarisë dhe fitosanitare do të kërkojë që të fuqizohet në gjurmim të ndotjes, duke bërë të mundur që tregu të monitorohet në mënyrë vertikale. Kjo do të realizojë kontrollin e plotë të zinxhirit nga “fermeri te tavolina”. “Kjo përqasje do të na garantojë më shumë, si dhe na afron me BE-në. Po përmbushim dhe detyrimin tjetër ndaj konsumatorit, në lidhje me kafshët dhe produktet e tyre, mish apo prodhim qumështi. Artikujt do të kenë bar-kodin, ku në të do të jetë dhe historiku i kafshës, fermës apo zonës nga vjen. Brenda vitit që vjen do të jetë konsoliduar sistemi”, tha ministri Panariti.
Ai tha gjithashtu se procesi i identifikimit për njohjen e plotë të kafshëve do të krijojë një pasqyrë për krerët e bagëtive që gjenden në vend. Me këtë bazë të dhënash do të bëhet më i lehtë edhe kontrolli, me qëllim marrjen e masave në raste problematike.
Me mbështetjen e fondeve të Bashkimit Europian (fondet IPA 2009 – 2010) është bërë e mundur ngritja e nëntë zyrave rajonale të AKU-së me një fond prej 5 mln euro. Me anë të këtij fondi është bërë i mundur jo vetëm ndërtimi apo rehabilitimi i godinave, por edhe ngritja e laboratorëve. Në të gjithë vendin, numërohen 29,000 subjekte ushqimore, që nga bizneset e vogla e deri te shoqëritë e mëdha të përpunimit të ushqimeve.
Roli kryesor i AKU-së është zbatimi i akteve rregullatore që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, ndërsa detyrat e tjera lidhen me hartimin e politikave, përgatitjen e legjislacionit, si dhe me menaxhimin e krizave.
Numri dy i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ian Rudolph, tha se rekomandimi për hapjen e negociatave kërkon që të vijohet me përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe në këtë këndvështrim një rëndësi të veçantë (krahas Reformës në Drejtësi si kushti kryesor) kanë kapitujt që lidhen me sigurinë ushqimore. Sipas tij, katër kanë qenë hapat ku është fokusuar më shumë asistenca e BE-së: përgatitja e legjislacionit, forcimi i kapaciteteve (IPA 2009), ngritja e infrastrukturës fizike, si dhe krijimi i laboratorëve (IPA2013). Sipas z. Rudolph, krijimi i këtyre sistemeve do të ndihmojë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare kur të vijë fjala tek anëtarësimi me të drejta të plota.
Të dhënat e studimeve të fundit në lidhje me shëndetin e konsumatorëve janë shqetësuese, jo vetëm në Europë, Shqipëri, por edhe në botë. Thuajse një në çdo dhjetë persona sëmuren çdo vit nga konsumi i ushqimeve të ndotura.
“Përmirësimi dhe përdorimi i standardeve të sigurisë ushqimore përbëjnë një proces dinamik, që varet nga niveli i njohurive, por edhe nga mbajtja në konsideratë e një vargu sfidash dhe rreziqeve të reja, që edhe një sistem i fortë si ai i BE-së do të mund ta vendosnin në një presion të fortë, ku përfshihen shumë faktorë. Është i nevojshëm që të kuptohet rëndësia e këtij problemi, si dhe pse BE-ja po mbështet Shqipërinë për përmirësimin e sistemit të tij fitosanitar, veterinar dhe të sigurisë ushqimore. Zbatimi i acquis me BE-në në këtë fushë është një nga detyrat më të vështira për shkak të vëllimit dhe përditësimit të shpeshtë të legjislacionit”, tha z. Rudolph.
Ndërsa zëvendësministrja e Integrimit, Erisa Xhixho, tha se sfida e Shqipërisë do të jetë ngritja e kapaciteteve për të bërë zbatimin e këtij legjislacioni. Ajo tha se do të realizohet një fushatë informimi për të prezantuar të drejtat dhe detyrimet që do të na lindin nga ky proces.
“Siguria ushqimore është një detyrim që ne duhet t’ua ofrojmë qytetarëve shqiptarë, prandaj ky është një prioritet i Bashkimit Europian, i cili ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë edhe me IPA 2016. Ky është një prioritet që ne duhet të përmbushim për të ecur përpara me procesin e integrimit”, tha znj. Xhixho.
Bashkimi Europian për periudhën 2016–2020 ka miratuar 71 milionë euro nëpërmjet programit IPARD, për të mbështetur investimet e reja në prodhimin dhe përpunimin e ushqimeve. Kjo vlerësohet si një mundësi e mirë për të rritur aftësinë konkurruese të subjekteve shqiptare që merren me biznesin ushqimor, sa u takon kostove dhe standardeve.