Siri, vritet në një sulm ajror truri i masakrës së “Charlie Hebdo”

10.12.2016 12:53:41

Një lider i Shtetit Islamik, i cilësuar si truri i sulmit ndaj gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, është vrarë në një bombardim ajror amerikan në Siri. Lajmi u bë i ditur nga burime ushtarake të SHBA-ve, duke saktësuar se Boubaker el Hakim ka vdekur në Raka në 26 nëntor. Franko-tuniziani El Hakim, 33 vjeç, ka qenë mentor i vëllezërve Said dhe Sherif Kouachi, të cilët shkaktuan masakrën ndaj gazetarëve të “Charlie Hebdo” në Paris në janar 2015.

Në sulmin terrorist në selinë e gazetës, u vranë 12 persona dhe 11 mbetën të plagosur. Dyshohet po ashtu se Boubaker el Hakim ka qenë madje edhe truri i atentatit në muzeun kombëtar të Bardosë në Tunizi në 18 mars 2015, ku humbën jetën 24 persona (mes të cilëve 21 ishin turistë, një agjent i policisë dhe dy terroristë) dhe 45 të tjerë u plagosën.