Smajl Latifi: Rahoveci më një projekt të madh që do të sjellë vende të reja të punës

03.02.2019 18:19:03

Kryetari i Komunës së Rahovecit në një interviste për lajmi.net ka rrëfyer problemet me të cilat po përballet kjo komunë, premtimet që i realizoi si dhe synimet e AAK-së në zgjedhjet e ardhshme.

Ai ka thënë se po fillojnë një projekt shumë të rëndësishëm ekonomik, zonën ekonomike që, siç thotë ai, do të sjellë vende të reja të punës dhe perspektivë

I pari i Rahovecit ka folur edhe për ndërtimin e 4 çerdheve të cilat i kishte premtuar në fushat, por që ende nuk janë përfunduar në tërësi.

Mungesa e ujit të pijshëm si dhe shpërndarja e ujësjellësit, është një nder problemet kryesor që prek qytetarët e Rahovecit, problem ky që vite me radhë nuk po zgjidhet përfundimisht.

Lidhur me këtë Latifi ka thënë se punojnë vazhdimisht që ky problem të zgjidhjet njëherë e mire.

Latifi ka folur edhe për ish-zyrtarin e kësaj komune, Nysret Shala, i cili u arrestua së bashku me ish-zëvendësministrin Musa Cena, nën akuzën për “Marrje të Ryshfetit?

Kreu i Rahovecit e ka quajtur të turpshme zvarritjen për një dekadë të Palestrës Sportive të Rahovecit, për të cilën ka thënë se qeverisja e tij, për momentin, e ka top prioritet përfundimin e saj.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Sipas raportit të Institutit GAP, gjatë kësaj pjese të mandatit keni përfunduar vetëm tri projekte nga gjithsej  24 sa keni premtuar në fushatë. Çfarë po ndodh pse keni ngecur në realizimin e tyre?

Latifi: Unë sapo kam hyrë në vitin e dytë të qeverisjes ndërsa duhet ditur se, e para, Instituti GAP në pjesën e monitorimit të premtimeve i ka strategjitë afatgjate. Përveç kësaj, disa nga premtimet të cilat i kemi realizuar, si bie fjala buxheti mbi 1 milionë euro për bujqësi, përkundër se përmendet si i përfunduar nuk është i listuar si i tillë. Ne gjithashtu po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm ekonomik, zonën ekonomike që do të sjellë vende të reja të punës dhe perspektivë. Pastaj mos të harrojmë edhe përgjegjësitë që i kemi pranuar për përfundimin e palestrës. Pra, komuna nuk ka ngecje, vetëm përparim në realizim të projekteve dhe planeve tona për Rahovecin.

Lajmi.net: Gjatë fushatës keni premtuar edhe ndërtimin e 4 çerdheve, që janë një mungesë e madhe në këtë komunë, pse nuk janë përfunduar ende?

Latifi: Është e vërtetë se Rahoveci ka mungesë të çerdheve dhe unë kam premtuar se gjatë mandatit tim komuna jonë do të ketë për herë të parë më shumë se një çerdhe, konkretisht katër. Çerdhja në Rahovec veçse po përfundohet, e kemi nisur atë në Ratkoc, e sivjet planifikojmë edhe nisjen e ndërtimit të çerdheve në Krushë të Madhe dhe Xërxë, pasi që janë edhe në kod buxhetor të planifikuara.

Lajmi.net: Një ndër problemet kryesore që i përcjell qytetarët e Rahovecit është edhe mungesa e ujit të pijshëm, si dhe shpërndarja e rrjetit të ujësjellësit, pse nuk po zgjidhet ky problem?

Latifi: Në bashkëpunim me ujësjellësin KRU “Gjakova” kemi arritur që për një periudhë të shkurtër të stabilizojmë gjendjen me ujin e pijshëm. Jemi të vetëdijshëm që ka akoma punë në këtë pjesë por po kujdesemi vazhdimisht që ky problem të zgjidhjet njëherë e mirë.

Ne jemi duke punuar edhe në përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujit të pijshëm, sidomos në disa zona të cilat nuk janë të përfshira në këtë rrjet, si p.sh Polluzhë e Guri i Kuq. Guri i Kuq dhe Polluzha tashme kane ujë te pijshëm, fale angazhimit te madh institucional nga komuna e Rahovecit dhe kompanisë KRU Gjakova.

Lajmi.net: Keni premtuar se do ta përfundoni Palestrën Sportive të Rahovecit, që s’u përfundua që një dekadë. Kur pritet të përfundohet në tërësi ky projekt?

Latifi: Ju jeni të informuar se KB Rahoveci ka aplikuar dhe është organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës dhe e ka fituar të drejtën e organizimit nga FBK. Komuna po punon me të gjitha kapacitetet që kjo palestër të jetë gati për këtë organizim dhe jam shumë optimist se do arrihet një gjë e tillë. Qeverisja ime duke mos dashur që kjo punë të shkojë pafundësisht, ka marr përgjegjësi për ta përfunduar palestrën duke i bartur të gjitha procedurat e prokurorimit, pasi që dihet se ky ka qenë projekt i ministrisë dhe jo i komunës. Në të kaluarën nuk ka pasur guxim për një veprim të tillë, fatkeqësisht, por unë jam i vendosur që kjo palestër të përfundojë sa më parë! Është e turpshme ajo që ka ndodhur me palestrën dhe vonimi kaq i gjatë, por për momentin top prioritet e kam përfundimin e saj. Pastaj si komunë do t’i shkojmë deri në fund që të gjejmë pse ka ndodhur kjo dhe a ka pasur diçka të qëllimshme në këtë aspekt.

Lajmi.net: Mungesa e kanalizimeve ka bërë që në shumë vendbanime të Rahovecit të paraqiten problemet me vërshimet, ku më së shumti e pësojnë fermerët. Pse nuk po zgjidhet ky problem?

Latifit: Rrjeti i kanalizimeve dhe vërshimet janë problem me të cilin komuna jonë është përballur vazhdimisht por se unë po punoj çdo ditë që të gjendet zgjedhje. Jemi duke punuar në rregullimin dhe zgjerimin e rrjetit në gjithë komunën, duke filluar nga zonat më problematike si dhe kemi rregulluar edhe shtretërit e lumenjëve problematikë e kemi në plan që të vazhdojmë në këtë drejtim.

Se pari duhet dalluar, se vërshimet nuk shkaktohen nga rrjeti i kanalizimit por nga gjendja e përroskave dhe lumenjve qe çdo vit ka vërshime sidomos ne zonat e ulëta te komunës sonë, po ashtu duhet dalluar kanalizimin e ujerave fekale dhe atmosferike, ka përzierje te ujërave qe është e ndaluar rreptësishtë.

Është duke u trajtuara edhe faza përfundimtare e segmenteve te rrugëve dytësore te rrjetit te kanalizimit, sivjet synojmë te mbërrijmë te shtrijmë rrjetin e kanalizimit ne shume vendbanime ne 15 vendbanime dhe ne 1 ne qendrën urbane ku do te këtë ndërhyrje te kanalizimit ne mënyrë qe te përmirësohet jeta e qytetareve.

Lajmi.net: Komuna e Rahovecit një kohë ka qenë në qendër të vëmendjes për zbatimin e Ligjit për Hoçën e Madhe, madje është raportuar se ndaj zyrtarëve të komunës është ushtruar presion nga bashkësia ndërkombëtare? Cili është qëndrimi juaj karshi kësaj çështjeje?

Latifi: Po është e vërtetë se kjo temë ka bërë bujë të madhe në kohën kur është përmendur. Hoça e Madhe, ashtu siç edhe të gjitha lokalitetet e tjera të Komunës sonë po trajtohen dhe do të trajtohen barabartë në mandatin tim.

Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me banorët e këtij fshati ashtu siç jam me banorët e të gjithë komunës së Rahovecit dhe projektet e mia për këtë zonë do të realizohen në periudhën e mbetur të këtij mandati.

Lajmi.net: Duke qenë se vini nga partia që ka kryeministrin, cili është raporti i komunës me nivelin qendror? A po keni përkrahje më shumë se mandatin e parë kur kryeministri ka qenë nga një parti tjetër?

Lajmi.net: Qeveria “Haradinaj” që nga dita e parë ka qenë pranë komunës sonë duke ndihmuar në fushat ku kompetencat apo mundësitë tona buxhetore kanë qenë të pamundura për të ndërhyrë.

Vendimet madhore të Haradinajt dhe ministrave të tij nuk kanë munguar ashtu si edhe bashkëpunimi dhe kjo gjë po ndihmon në zhvillimin e projekteve që janë në të mirë të Rahovecit.

Përndryshe, Ramush Haradinaj besoj e ka dëshmuar se është i interesuar ta zhvillojë Rahovecin dhe gjithë komunat e tjera të Kosovës me investimet dhe vendimet që ka ndërmarrë. Ne besojmë shumë se projektet si zona ekonomike, palestra, rrugët rajonale, rregullimi i shtratit të Drinit e të ngjashme, do të kenë përkrahjen e qeverisë së Kosovës.

Lajmi.net: Ku e shihni AAK-në në zgjedhjet e ardhshme, pas përfundimit të koalicionit me PDK-në, a mendoni se do të ketë rënie apo ngritje?

Latifi: AAK, në krye me kryeministrin Haradinaj në këtë mandat e ka dëshmuar se është për zhvillim të vendit, forcim të shtetit dhe politik bërje për një shtet me dinjitet. Unë jam i bindur se, AAK e ka dëshmuar se e meriton të udhëheqë Kosovën drejt proceseve të mëdha që na presin dhe hapit tjetër për të zhvilluar dhe forcuar sidomos ekonominë dhe prodhimin e brendshëm si prioritet i radhës i kryeministrit Haradinaj dhe si rrjedhojë, kurdo që të mbahen zgjedhjet, votuesi do të zgjedhë AAK-në para partive tjera.

Lajmi.net: A ka qenë komuna në dijeni për veprimet që po ndërmerrte, Nysret Shala, zyrtarë në Komunën e Rahovecit, i cili u arrestua së bashku me ish zëvendësministrin Musa Cena që vinte nga partia juaj nën akuzën për “Marrje të Ryshfetit?

Latifi: Siç e kam cekur në të kaluarën, unë jam informuar vetëm nga mediat për rastin në fjalë. Ky rast i përket sektorit të drejtësisë dhe drejtësia e ka dhënë fjalën, andaj nuk më takon që të komentoj në rastet që i përkasin organeve të drejtësisë, sa për informatë z. Nysret Shala i është ndërprerë marrëdhënia e punës